Pesë muaj nga ndalimi i Valentin Selajt në Holandë, i dashuri i prezantueses së një emisioni sportiv në RTSH, Viola Spiro ka fituar lirinë. Ishte gazeta italiane “La Nazione”, e cila publikoi arrestimin e Valentin Selajt në Firence, duke u etiketuar “Zoti i drogës” dhe kreun e një bande mjaft të fuqishme ndërkombëtare, që sillte kokainë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Firence, nëpërmjet Holandës.
Pjesë e shkrimeve të mediave italiane u bë edhe prezantuesja shqiptare Viola Spiro, pasi, sipas tyre, ajo bënte jetë luksoze me paratë që ia siguronte i dashuri. E pesë muaj pas zhurmës, Viola preferoi të tërhiqej në jetën e saj modeste, ndërkohë që nuk dihej nëse ajo i kishte dhënë fund lidhjes me të dashurin në burg, apo e priste të rilidheshin pas lirimit. Dhe duket kjo e dyta rezultoi e vërtetë.
Nëse shihje “Instagramin” e prezantueses ditët e fundit, kuptohej një ndjesi optimizmi dhe lumturie në fotot e saj të reja, pasi kishte gjetur madje kohën të realizonte dhe një set të ri fotosh artistike, ku pozonte e veshur me xhinse dhe belin jashtë. Mesa duket, Viola kishte marrë lajmin më të mirë që mund të priste këtë pranverë, edhe pse po e mbante sekret, pikërisht lirimin nga burgu në fillim të muajit prill të të dashurit.
Pas 20 javësh që ai kaloi i izoluar në qelitë e paraburgimit në Holandë, ku nuk ishte i lejuar të gjykohej në gjendje të lirë për shkak të shtetësisë shqiptare, ata e vazhdojnë historinë aty ku e kishin lënë. Dhe për të festuar këtë ritakim, çifti nuk kanë preferuar intimitetin larg zhurmës së metropolit apo syve të njerëzve, por të kundërtën.