Burime për “Panoramën” konfirmojnë se kandidati për kreun e PD-së Fatbardh Kadilli i ka kërkuar dorëheqjen e parevokueshme kryedemokratit Basha, duke i thënë këtij të fundit se nuk është i pazëvendësueshëm në parti.
“Nuk je i pazëvendësueshëm. PD ka shumë njerëz të mirë. Jep dorëheqjen e parevokueshme”, mësohet ti ketë dhënë Kadilli-Bashës.
Kadilli i është drejtuar po ashtu kreut të selisë blu me fjalët: “Je humbës i përsëritur prej defekteve personale. Drejtove çdo gjë vetëm dhe pa forume, pa përfshirë askënd”.
Ndërkaq drejtuesi i demokratëve Lulzim Basha tha se shqiptarët e votuan ndryshimin me zemër dhe e duan këtë ndryshim sot më shumë se kurrë.
“Kjo fushatë provoi se ne edhe propagandës së tyre mund ti bëjmë ballë, ne mundemi ta shkatërrojmë atë: me zemër, me shpresë! Dhe këtë ne e bëmë- shqiptarët dolën me gëzim në zemër dhe votuan ndryshimin në 25 prill.
Ata dje e donin me gjithë shpirt ndryshimin! Ata e duan ndryshimin edhe më shumë sot! Ndaj të bashkuar ju ftoj ti prijmë forcën tonë betejës për ndryshimi për të gjithë demokratët dhe gjithë shqiptarët”, tha Basha.