Sponsori i Vllaznisë, Alban Xhaferi, beson se skuadra kuqeblu do të jetë një prej pretendenteve kryesore në sezonin e ri për titullin kampion. Pas takimit miqësor që kuqeblutë luajtën ndaj Burrelit, Xhaferi komentoi situatën në skuadër, ndërsa është shprehur i bindur se projekti për ndërtimin e Vllaznisë pretendente do të vazhdojë deri në çastet e fundit të merkatos.
Ai ka folur edhe për rëndësinë e procesit të privatizimit të klubit, që po ndikon direkt sa i përket infrastrukturës, teksa për ekipin e parë duhet ndërtuar një fushë stërvitore. Xhaferi paralajmëroi jo vetëm afrime, por edhe largime nga skuadra deri më 31 gusht, kur edhe mbyllet merkatoja e verës.
Pas takimit miqësor ndaj Burrelit, si ju duket situata te Vllaznia?
Këto ndeshje janë më shumë për të testuar lojtarët dhe gjendjen e tyre. Nuk janë ndeshje për të zhvilluar lojëra të forta. Gjithsesi, ekipi kishte momente të bukura edhe në këtë miqësore, por disa lojtarë treguan se nuk janë në formën më të mirë të tyre. Kemi ende kohë për të rikuperuar në disa pozicione, por edhe për të riparuar disa gjëra që nuk janë në rrugën e duhur dhe të përgatitemi për kampionatin.
Në fushë ishin edhe blerjet e fundit. Jeni i kënaqur me paraqitjen e tyre?
Ndoshta nuk jam në gjendje profesionalisht për të dhënë një vlerësim të saktë, por i kam ndjekur me interes dhe do të thosha se një apo dy lojtarë kishin një gjendje të mirë, ndërsa të tjerë kanë për të dhënë sërish. Duan kohën e vetë për t’u ingranuar me ekipin dhe për t’i vlerësuar tamam, duhet që të kenë kohën e duhur.
Vllaznia ka qenë aktive në merkato. Priten të tjera përforcime?
Deri në minutën e fundit të merkatos, Vllaznia pret që të forcohet në ato pozicione ku edhe ka nevojë. Pra, deri në minutën e fundit mund të ketë edhe largime dhe afrime të reja. Jemi në një fazë dinamike.
Një Vllazni e bukur në sezonin e kaluar, çfarë pritshmërie keni për kampionatin që nis më 11 shtator?
Absolutisht që ne mendojmë për të bërë më të mirën. Jemi në fazë përmirësimi. Sezonin e kaluar Vllaznia u kthye te lojërat e bukura dhe kjo u pa edhe në rezultate në fushë dhe tifozëria. Mendojmë që të rritemi në një nivel më të lartë dhe të jemi pretendentët kryesorë për fitimin e titullit. /Nga Admir URUÇI/