Orët e para të mëngjesit kanë përballur shkodranët me një situatë të pazakontë. Qyteti është gdhirë i blinduar nga forca të shumta policie, speciale, RENEA, anti- terror, civilë etj. Po ashtu, disa akse kryesore janë bllokuar totalisht duke penguar qarkullimin e makinave. Arsyeja? Po vjen Edi Rama në Shkodër…
Në akset e bllokuara shihen vetëm makina ministrash dhe të Ministrisë së Brendshme. Normalisht, edhe mjetet e transportit të policisë dhe forcave të tjera që janë dislokuar në Shkodër. E gjithë kjo panoramë, pa bërë asnjë njoftim publik për qytetarët, të cilët pavarësisht se kanë “fatin” të kenë në gjirin e tyre jo vetëm kryeministrin, ministrat e tij por edhe kryeministrin malazez dhe ministrat përkatës, duan të vazhdojnë jetën normalisht.
Mbledhja e dy qeverive nuk duhet të shkaktojë një terror të tillë psikologjik në Shkodër, nuk duhet të pengojë rrjedhën normale të jetës të një qyteti e rajoni të tërë, pasi që është kryeqendra e Veriut.
Për ata që janë të interesuar, takimi nis zyrtarisht në orën 10.00 me ceremonialin e pritjes në Fototekën “Marubi”, e cila do të mikpresë mbledhjen e dy qeverive. Në orën 11.00 do të ketë nënshkrim marrëveshje, për të pasuar pas 30 minutave me një konference të përbashkët të dy kryeministrave. Ndërsa në orën 12.30, në Shirokë është parashikuar një drekë e përbashkët, por edhe një forum bisnesi. Sipas gjasave, deri në orë 16.00, Shkodra do të vijojë të jetë e blinduar.
Në fund, të gjithë ata që duan të ndjekin evenimentet LIVE, mund ta bojnë në televizionin privat të kryeministrit Rama në Facebook, ERTV.