Situata e reshjeve intensive që ka mbërthyer rajonin e Veriut të Shqipërisë, po krijon probleme të mëdha edhe në Bashkinë Malësi e Madhe. Mbrëmjen e kaluar është mbuluar nga uji thuajse i gjithë qyteti i Koplikut.
Në një video të shpërndarë në faqen e tij në Facebook, deputeti i PD- së Ramadan Likaj kërkonte ndërhyrjen e bashkisë për normalizimin e situatës. Deri tani, të paktën në faqen zyrtare në Facebook, nuk ka asnjë postim lidhur me situatën e masat e marra.
Postimi i fundit është një takim i drejtueses politike të PS- së për qarkun Shkodër Elisa Spiropali me banorë të tonës, lidhur me degjesa publike për projekt buxhetin e vitit 2023.
Ndërkohë, ditën e sotme, është njoftuar bllokimi i rrugës Hani i Hotit- Tamarë, për shkak të rreshqitjes së inerteve si pasojë e intensitetit të reshjeve në orët e fundit.
“Në rrugën Hani i Hotit-Tamarë ka pasur rënie inertesh me dendësi në trup të rrugës. U morën menjëherë masat për pastrimin e rrugës me mjete e punëtorë. Qarkullimi tashmë kryhet pa probleme “, shkruhet në një publikim të ARRSH- së në rrjetet sociale.