Shkruan në faqen zyrtare në Facebook kryetarja e Bashkisë Shkodër Voltana Ademi: “Projekti “Pastrimi i Kanaleve Kullues Bashkia Shkodër”, përmes të cilit përfitojnë punësim 100 kryefamiljarë të familjeve më në nevojë në Bashkinë e Shkodrës, kryesisht nga zonat më në rrisk nga përmbytjet, ka qenë në vëmendjen tonë keto ditë.
Së bashku me adminsitratorët e Njësive Administrative Dajç, Bërdicë, Velipojë, Ana e Malit, Guri i Zi e Rrethina po synojmë krijimin e një perspektive përmes punësimit dhe në të njëjtën kohë përmirësimin e situatës në sistemin e kanaleve të kullimit.
Ky projekt do të ndihmojë popullsinë e rajonit të ndikuar për reduktimin e efekteve të përmbytjes, mirëmbajtjes së pronës publike, ndërkohë që piloton konceptin “para për punë publike”.
Gjatë mbledhjes e diskutimit pë koordinimin e punës, kam kërkuar angazhim maksimal të administratorëve në përmbushjen e objektivave të këtij projekti, duke u kujdesur çdo ditë për mbarëvajtjen e tij.
Ky projekt pilot i Bashkisë Shkodër do të zgjasë 2 muaj dhe mbështetet nga Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) nëpërmjet GIZ në Shqipëri dhe zbatohet nga Programi i Zhvillimit Rajonal RDPA dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit/ Albanian Development Fund.
Zona e ndërhyrjes është zona e konsideruar si e rriskuar nga përmbytjet, Bashkia Shkodër në Njësitë Administrative Dajç, Bërdicë, Velipojë, Ana e Malit, Guri i Zi, Rrethina. Kjo është e parashikuar në kuadër të “Planit të menaxhimit të rrezikut nga përmbytjet”.
Ndërhyrjet konsistojnë në zhbllokime tombinosh dhe nënkalime të urave në rrugët e fshtarave, të kanaleve të dyta në lagjet e banuara dhe të bregut të Liqenit të Shkodrës.”, përfundon postimin e saj në Facebook qytetarja e parë e Shkodrës Voltana Ademi.