Fitoi Kupen me Vllaznine, flet traineri Mikopli: Eshte heret te flasim per titullin!

Pas fitimit të Kupës së Federatës, trajneri i Vllaznisë në volejboll për meshkuj, Adrian Mikopli, shprehet se kjo ishte një fitore shumë e vështirë për shkak të mungesave të rëndësishme që ka patur ekipi kuqeblu.“Patjetër që jam shumë i kënaqur me fitoren që arritëm duke sjellë në Shkodër trofeun e Kupës. Ishte një ndeshje besoj e një niveli të lartë. Një ndeshje me shumë emocione dhe rivalitet. Ne arritëm që të jemi më të qetë dhe ta administrojmë më mirë duke arritur kështu që të ishim fitues në fund të ndeshjes.
Besoj që me lojën që u bë Vllaznia e meritoi, edhe pse Partizani është një skuadër shumë e mirë. Jam i kënaqur që këtë fillim sezoni e nisëm me një trofe. Nga ana tjetër, ajo që më jep shumë ngrohje është se ne kishim 3 mungesa të rëndësishme siç janë Rrashketa, Jukni dhe Kristjan Kola. Këto volejbollistë ishin të dëmtuar dhe pavarësisht kësaj ne arritëm që të fitojmë ndaj Partizanit.
Ky është një sinjal shumë i mirë për ekipin tonë dhe aq më tepër për lojtarët e rinj. Tashmë të gjithë kanë besim se mund të arrihet çdo rezultat dhe se nuk duhet që të dorëzohemi për asnjë arsye. Shpresoj që të vazhdojmë edhe më tutje me këtë ritëm sepse i kemi të gjitha mundësitë për ta bërë një gjë të tillë”.
I pyetur nëse Vllaznia do të tentojë fitimin e titullit kampion në këtë sezon të ri, ashtu siç bëri sezonin që kaloi duke sjellë për herë të parë në volejbollin e meshkujve një trofe, trajneri Mikopli thotë se është ende shumë herët për të folur për një gjë të tillë. Objektiv për Vllazninë është pjesëmarrja mes 4 ekipeve më të mira në “play off”.
“Është ende shumë herët për të folur për titullin kampion. Ajo që do të kërkojmë ne është që të stërvitemi shumë, të jemi sa më seriozë, të mos neglizhojmë asgjë dhe të punojmë sa më shumë për të arritur atë që dëshirojmë.
Unë mund të them me siguri se ajo që kemi objektiv është pjesëmarrja në ‘play off’ mes 4 ekipeve më të mira. Për të folur për titullin kampion është herët shumë edhe pse patjetër që mbetet një dëshirë e jona. Ne duam që të jemi në ‘play off’ dhe më pas aty do të shihet forca e çdo skuadre. Do t’i marrim gjërat me radhë dhe shpresoj të bëjmë më të mirën”.