Vllaznia udhëton nesër drejt Kamzës. Kuqeblutë do të tentojnë të ruajnë avantazhin e ndeshjes së parë në Shkodër, të fituar me përmbysje në “Reshit Rusi”. Një sukses i mundshëm me dy rezultate në dispozicion nga tre, do të thotë vazhdim i ëndrrës për Europën e futbollit, edhe pse në kategorinë e parë. Kupa e Shqipërisë mund të jetë një mundësi dhe historia ka treguar, brenda e jashtë vendit tonë se edhe ekipe jo në nivelim më të lartë të ligave të futbollit në vendet respektive, e kanë ngritur Kupën.
Ndeshja me Kamzën, jo vetëm për këtë arsye, duhet të jetë një derbi. Kalimi i turit për të vijuar më tej në Kupën e Shqipërisë, është vetëm një objektiv i ndeshjes që sipas FSHF-së luhet nesër (të mërkurën, ora 13.00). Kamza është ekipi, i cili deri në minutat e fundit të Superligës së vjetshme, ishte rival i Vllaznisë për të rënë një kategori më poshtë. Partizani e toleroi, ashtu siç Vllazninë e toleroi brenda në Korçë ekipi i Skenderbeut dhe kuqeblutë janë aty ku do të jenë edhe nesër. Kamza ia ktheu borxhin Partizanit para dy ditëve, duke patur në krye Ernest Gjokën, i cili u përfol si trajner i mundshëm i kamzalinjve kur Vllaznia kishte akoma shpresë të qëndronte në Superligë.
Kaq do të ishte e mjaftueshme për të motivuar djemtë kuqeblu. Pa llogaritur edhe situatën katastrofike tek Kamza. Po ashtu, pas humbjes me Erzenin për kampionat, Vllaznisë i duhet një lajm i mirë. Nga ana tjetër, kalimi i turit të Kupës do të ishte edhe njëfarësoj dhurate për 100- vjetorin e Vllaznisë. Edhe në formën e “hakmarrjes” për ato që përmendëm më sipër. Topi është i rrumbullakët, thuhet në futboll. Ekipet kanë nga 11 futbollistë në fushë dhe tre arbitra duhet të jenë asnjanës. Në letër, Vllaznia ka më shumë motivim. Por edhe detyrim për të treguar se është rastësisht ku është sot. /Shënim i ShkodraWeb/