Shkodra pati disa xhami, më e madhja kishte 50 dhoma. Si qendër vilajeti dhe kryemyftinie, Shkodra përfshinte rrethet Ulqin, Tivar, Podgoricë, Krujë e deri në Tiranë. Pati shkolla fetare për besimtarët, (mejtepe dhe dy medrese); njëra prej tyre ishte medrese e lartë, ngrihej nën kala, aty mësoheshin gjuhët klasike orientale arabisht e persisht, matematikë, kimi, histori, letërsi, retorikë e lëndë të tjera, kurse tjetra ndodhej në brendësi të pazarit.
Medresetë u pajisën me biblioteka, (qytyp-hane), ose siç quheshin ndryshe, “shtëpitë e librave”, kishin dhe konvikt për nxënësit. Ndërtesat e dy medreseve ishin të mëdha me shumë dhoma. Dy mësuesit e parë të medreseve kishin qenë Krimilia dhe Qilisia. Pas tyre erdhën mësuesit shqiptarë, ku njeri prej tyre ishte Myrteza Efendiu.
Historiku i bibliotekës
Iniciator për krijimin e bibliotekës u bë Mehmed Pashë Bushatliu, krijuesi i pashallëkut të Shkodrës, pasha gjatë viteve 1768–1774, i njohur ndryshe si Mehmet Pashë Palaku. Ky titull iu dha sepse ishte Shejhu Sufi i Esnafit të terzinjëve të Shkodrës. Biblioteka e tij i kaloi të birit Mustafa Pashë Bushatliut. Ky i fundit, pas vdekjes së tij, më 1860, me dëshirën e vet, bibliotekën dhe shtëpinë ia dhuroi vakëfit, për t’u ardhur në ndihmë të rinjve që studionin dhe gjithkujt tjetër. Shtëpia e Mustafa Pashës ishte e madhe, me 12 dhoma e pamje madhështore. Shtrihej në një sipërfaqe të madhe, gjë që e bënte ndërtesën të dukej hijerëndë.
Biblioteka e bushatlinjve pati mijëra volume; libra dhe dorëshkrime. të shkruara në arabisht, persisht, turqisht, frëngjisht, në gjuhë të tjera dhe shqip. Në ato kohë kishte shumë kuriozitet për librat: “ Më përpara (biblioteka e Vakëfit) ka qenë shumë e dobishme. Librat e saj kanë shkuar në dorë të shumëkujt. Edhe sot gjenden listat e marrësve të librave nër disa deftera të mëdha ba apostafat për këtë gjë. Librat janë me vula të pashallarëve, ndër to asht dhe vula e Kara Mahmutit dhe sidomos gjinden vula të Mustafa Pashës. Nga kjo kuptojmë kohën e të pasunuemit të bibliotekës me këto libra.” (Kultura Islame 1941-1942, nr 1-2, f. 63)
Shërbeu si bibliotekë popullore
Biblioteka trashëgoi edhe fondin e librave të Medresesë së Vjetër që ndodhej në Pazar. Librat mbaheshin në dy-tri kopje, pasi shërbeu si bibliotekë popullore. Mes autorëve të huaj ishin të pranishme veprat e Saadi Shirazi-it, Xhelaledin Muhamed Rumi-it, Hafiz Shirazi-it, filozofit El-Farabiu, të Ibën Sina-s i njohur në perëndim me emrin “Avicena”, të Ibën Rushd-it, i mbiquajtur (Averroès) nga Kordoba, të cilët me punën e tyre, analizat dhe komentet e shkëlqyera e bënë të kuptueshme dhe akoma më cilësore filozofinë e Aristoteli, dhe të shumë autorëve të tjerë.
Ndërsa në gjuhën shqipe përveç letërsisë gjendeshin libra teologjie, histori, filozofi, matematikë, kimi dhe botime të tjera. “Këto biblioteka, ashtu si dhe biblioteka “Këllyçi” tërhoqën vëmendjen e vizitorëve të huaj dhe studiuesve të bibliotekave orientale, mes të cilëve dhe të anglezit Urkuard, i cili na ka lënë shënime për këtë bibliotekë që thotë: “Mustafa Bushatliuka qenë një njeri serioz dhe kishte mëkëmbë një bibliotekë me libra në frëngjisht, në turqisht, të cilat më së fundi ia fali vakëfit”.
Shumë vepra që ka patur kjo bibliotekë kanë qënë dhe në dorëshkrime, ku mes teksteve në dorëshkrime është një libër i shkruar shqip prej Tahir Efendi Gjakovame titullin “Vehibije”dhenjë histori turqisht e Ahmet Pashë Dugagjinit.
Është mjaft e rëndësishme që edhe këtu sundimtari jo vetëm që dhuron libra, jo vetëm blenë, jo vetëm pasuron në mënyrë të vazhdueshme bibliotekën, por nga ana tjetër kujdeset edhe për sistemimin e bibliotekës, kujdeset për mirëadministrimin e kësaj biblioteke, në mënyrë që këto pasuri të mos shpërdoroheshin.
Edhe deri në ditët tona, ekziston vula personale që ka përdorur Mustafa Pasha gjatë kohës që ishte në Shkodër, por edhe pasi u largua nga Shkodra. Gjatë kohës që ishte në Shkodër, të gjithë librat janë vulosur me vulën e tij të veçantë. Ndërsa, kur u largua dërgoi një vulë për bibliotekën e tij dhe vula e përdorur kishte këtë mbishkrim: “Mbështetja ime është Zoti, dhe Ai është i mjaftueshëm nga libra të cilat i ka bërë vakëf. I përvuajturi pranë të mirave të Perëndisë, nga Veziri i quajturi Sherif Mustafa. Zoti është më i Përhershëm”… /Nga Gjovalin Çuni, ish- drejtor i Bibliotekës Publike “Marin Barleti” në Shkodër/