Këshilltarët bashkiakë të koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Këshillin Bashkiak Shkodër, kanë dalë me një deklaratë për mediat dhe publikun lidhur me një kërkesë për interpelancë me kryetarin e Bashkisë Shkodër Benet Beci, lidhur me ristrukturimin e administratës së Bashkisë Shkodër. Mes të tjerave, në këtë deklaratë, thuhet:
“….duam të shprehim zhgënjimin tonë të thellë për pengimin e interpelancës të kërkuar me Kryetarin e Bashkisë Shkodër në lidhje me këto largime nga puna.
Interpelanca është një mekanizëm i rëndësishëm demokratik që i jep zë qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre për të adresuar pyetje dhe për të kërkuar llogari nga drejtuesit e tyre.
Ne, si këshilltarë të zgjedhur, kemi përdorur këtë mekanizëm për të sjellë transparencë dhe llogaridhënie në vendimmarrjen e bashkisë.
Interpelanca parashikohet në nenin Neni 74 i Rregullores “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit Bashkiak Shkodër”, miratuar me vendimin e KB Nr. 60, datë 28. 12. 2020. Citojmë:
Neni 74, të Rregullores “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit Bashkiak Shkodër”, miratuar me vendimin e KB Nr. 60, datë 28. 12. 2020.
Interpelancat me Kryetarin e Bashkisë
1.Interpelanca me Kryetarin e Bashkisë kërkohet me shkrim nga një Këshilltar apo grup Këshilltarësh për të marrë shpjegime për motivet, synimet dhe qëndrimin e Kryetarit të Bashkisë ose drejtuesve të lartë të administratës së Bashkisë, si dhe titullarëve të institucioneve, enteve apo drejtuesve të ndërmarjeve në varësi të Bashkisë, lidhur me aspekte të rëndësishme të veprimtarisë së tyre.
2.Kërkesa për interpelancë i paraqitet Kryetarit të Këshillit, i cili nëpërmjet Sekretarit të Këshillit njofton Kryetarin e Bashkisë apo personit ndaj të cilit kërkohet interpelanca.
3.Në mbledhjen e Kryesisë së Këshillit vendoset me mirëkuptim nëse një interpelancë do shqyrtohet me debat ose pa debat në Këshill.
4.Në rastin kur vendoset që interpelanca të zhvillohet me debat përcaktohet edhe koha e debatit për secilin grup politik Këshilltarësh.
5.Interpelanca vihen në rendin e ditës së mbledhjes së Këshillit jo më vonë se dy muaj nga paraqitja e kërkesës tek Kryetari i Këshillit. Nuk mund të vihen në rendin e ditës së të njëjtës mbledhje më shumë se një interpelancë e bërë nga i njëjti Këshilltar.
6.Këshilltari që ka paraqitur një interpelancë, ka të drejtën e shpjegimit të saj për një kohë jo më të gjatë së 10 minuta dhe, pas deklarimeve apo shpjegimeve të personit ndaj të cilit kërkohet interpelanea, paraqet për një kohë jo më të gJatë se 10 minuta arsyet për të cilat mbetet i kënaqur ose jo me përgjigjen e dhëna.
Megjithatë, pavarësisht se kemi dorëzuar shkresën për interpelancë zyrtarisht me dt. 8 shkurt 2024, me numër protokolli 2661, jemi të zhgënjyer që interpelanca jonë me kryetarin e bashkisë është penguar qëllimisht dhe nuk përfshihet në rendin e ditës së mbledhjes së Këshillit Bashkiak.
Ky veprim pengues jo vetëm që shkel vullnetin tonë si përfaqësues të qytetarëve, por gjithashtu kufizon të drejtën e qytetarëve për të marrë informacion dhe për të marrë përgjigje të nevojshme për çështjet që i prekin.
Në demokraci, duhet të ekzistojë respekt për institucionet demokratike dhe për të drejtat e përfaqësuesve të zgjedhur nga populli.
Ne kërkojmë që kryetari i bashkisë të respektojë pavarësinë dhe funksionin e Këshillit Bashkiak dhe të mundësojë interpelancën e kërkuar nga ana jonë për t’u zhvilluar në mënyrë të hapur dhe transparente.
e, si këshilltarë, do të vazhdojmë të luftojmë për drejtësi dhe pavarësi në vendimmarrjen e Bashkisë. Ne do të mbrojmë të drejtat e qytetarëve dhe do të punojmë për të garantuar që ndikimi politik të mos shkelë integritetin e institucioneve tona.”, thuhet në këtë deklaratë.
Por çfarë thotë ligji nr. 139/2015 për “Vetëqeverisjen vendore”, i cili është miratuar me shumicë të cilësuar në Kuvend dhe është mbi rregulloren e një këshilli bashkiak? Neni 64, “Kompetencat dhe detyrat e kryetarit të bashkisë” përcakton se të gjitha emërimet apo largimet nga puna, janë ekskluzivitet i kryetarit të Bashkisë dhe normalisht për këtë ushtrim kompetence, nuk ka asnjë detyrim të japë shpjegime. Sepse është në kushtet e një marrëdhënie individuale punëmarrës (punonjësi i bashkisë/institucioneve të varësisë)- punëdhënës (kryetari i bashkisë), e cila rregullohet me kontratë sipas Kodit të Punës dhe akteve të tjera.
Vendimi për ristrukturimin e administratës së Bashkisë Shkodër është marrë nga Këshilli Bashkiak, pjesë e të cilit janë edhe këshilltarët që kanë bërë kërkesën. Çdo person që është prekur nga ky ristrukturim, ka marrë një shkresë zyrtare, ku është përcaktuar edhe baza ligjore për largimin nga puna të gjithsecilit. Ligji i mundëson çdo individi që të atakojë vendimet që i duken të padrejta, në këtë rast edhe vendimin e Këshillit Bashkiak për ristrukturimin apo ndërprerjen e marrëdhënieve të punës individuale nga Bashkia Shkodër, në sistemin gjyqësor, në Gjykatën Administrative apo të tjera.
Nga ana tjetër, siç edhe vetë këshilltarët bashkiakë e kanë theksuar në deklaratën e tyre, Neni 74, pika 5 e tij, e Rregullores së Këshillit Bashkiak, lë një afat dy mujor për interpelancën, konkretisht: “Interpelanca vihen në rendin e ditës së mbledhjes së Këshillit jo më vonë se dy muaj nga paraqitja e kërkesës tek Kryetari i Këshillit. Nuk mund të vihen në rendin e ditës së të njëjtës mbledhje më shumë se një interpelancë e bërë nga i njëjti Këshilltar.”. Duke nisur nga data 8 shkurt 2024, afati i fundit është data 8 prill 2024, duke qenë edhe ligjërisht brenda afateve të interpelancës.