Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër kanë konstatuar në mesnatë, se një shtetas po qëllonte me armë gjahu, nga ballkoni i banesës së tij në një pallat në lagjen “Partizani”, në drejtim të automjeteve të parkuara.
Menjëherë u organizua puna, u bë rrethimi i zonës për të mos kaluar automjete dhe kembësorë, si dhe iu bë thirrje autorit, të mos qëllonte dhe të dorëzohej.
Autori nuk iu është bindur thirrjeve të Policisë, por është futur në banesë, ka mbyllur derën dhe ka kërcënuar për vrasje, punonjësit e Policisë, në rast se do të futeshin në banesë.
Ndodhur në keto kushte, në ndihmë të Policisë vendore, kanë shkuar Forcat Kombëtare të Sigurisë.
Pas ndërhyrjes së specializuar kanë bërë të mundur neutralizimin dhe vënien në pranga të shtetasit Fasli Hyka 83 vjeç, banues në Shkodër.
Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë sekuestruan 1 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu dhe municion luftarak.