Shtetasi Kristjan (Martini) Sulaj dyshohet se është autori i pritës ndaj biznesmenit Ferdinant Polia, ngjarje e ndodhur më 20 mars në Grudë të Shkodrës. 27-vjeçari, sipas hetuesve, pasi realizoi pritën ndaj 32- vjeçarit, i vuri flakën motorit dhe më pas është ndihmuar që të largohet me një makinë “Audi” nga vendi i ngjarjes. Pas kësaj, Kristjan Sulaj rezulton se është larguar nga Shqipëria, duke kaluar nga Pika Kufitare e Muriqanit drejt Malit të Zi.
Tre bashkëpunëtorët, vëllai i tij Alfred Martini dhe dy vëllezërit Gilbert dhe Kleandro Toma, dolën dje para Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkodër. Sipas përgjimeve telefonike dhe pamjeve nga kamerat e sigurisë, rezulton se këta tre personat kanë ndjekur Polinë me makinën tip “Audi”, që rezulton në pronësi të një prej vëllezërve Toma. Por, vetë të tre personat e kapur mohojnë të kenë gisht në egzekutimin e Ferdinand Polisë, madje kanë dhënë dhe deklarime kontradiktore.
Gjykata e Shkodrës la në burg pa afat Gilbert Toma, Kleandro Toma dhe Alfred Martini, të cilët dyshohen si bashkëpunëtorë të autorit të identifikuar si Kristjan Sulaj. Ky i fundit është vëllai i Alfred Martinit, por ka ndërruar mbiemrin nga Martini në Sulaj. Të tre të ndaluarit kanë mohuar akuzat ndaj tyre, duke thënë se nuk janë bashkëpunëtorë në vrasjen e 32-vjeçarit Polia dhe se s’kanë asnjë lidhje me atë ngjarje.
Po ashtu deklaruan para Gjykatës së nuk kanë qenë fare në mjetin tip “Audi”, që Policia dyshon se ka përndjekur viktimën dhe më pas ka transportuar autorin e vrasjes pas djegies së motorin tip “T Max” tek Ura e Mesit. Makinën tip “Audi” e posedojnë vëllezërit Gilbert dhe Kleandro Toma dhe kanë deklaruar në sallën e gjyqit se ditën e vrasjes, më 20 mars ua kanë lënë shokëve të tyre, vëllezërve Alfred Martini dhe Kristjan Martini ose Sulaj.
Por, nga ana tjetër, vetë 20-vjeçari Martini ka deklaruar se, automjeti është i tyre dhe ditën e ngjarjes ua kishin lënë për përdorim vëllezërve Toma. Në këtë mënyrë asnjëra palë nuk ka pranuar akuzat si bashkëpunëtor në vrasje. Nga ana tjetër, nga hetimet ka rezultuar se menjëherë pas vrasjes së ndodhur të Nard Polisë, autori i dyshuar nga Policia, Kristjan Martini Sulaj, ka kaluar në Pikën e kalimit Kufitar të Muriqanit, duke u larguar kështu drejt Malit të Zi kur nuk ishte ende i shpallur në kërkim nga Policia.
Avokatët mbrojtës të të ndaluarve, Ilir Golemi dhe Arbër Raja, kërkuan nga Gjykata që ndalimi i tyre nga ana e Policisë të cilësohet i paligjshëm dhe kërkuan të lihen të lirë me masë lehtësuese “detyrim paraqitje”, duke dhënë argumentet e tyre se tre të arrestuarit Gilbert Toma, Kleandro Toma dhe Alfred Martini nuk kanë lidhje me vrasjen e 32-vjeçarit, ndërsa prokurori Xhevahir Lita kërkoi “arrest me burg”, masë të cilën gjyqtari Andri Ymeri e dha për tre të ndaluarit.
Përveç makinës, e cila del në kamerat e sigurisë, duke përndjekur viktimën Nard Polia, Policia dhe Prokuroria pretendojnë se kanë edhe prova të tjera, disa gjurmë të lënë nga bashkëpunëtorët dhe autori i dyshuar në vende të ndryshme apo edhe biseda telefonike që krijojnë indicie për vrasjen e biznesmenit. /Nga Senad NIKSHIQI, PanoramA/