Kur po mbushen tre javë nga tërmeti fatal i 26 nëntorit që la pas 51 jetë të shuara, kanë nisur arrestimet e personave përgjegjës për sigurinë e ndërtesave që u shembën. Burimet bëjnë me dije se janë arrestuar 16 persona, ndërkohë që deri tani janë shoqëruar rreth 30 ndërtues, inxhinierë dhe zyrtarë të cilët me veprimet apo mosveprimet e tyre mund të jenë bërë shkak për humbjen e jetëve nga tërmeti fatal. Ndaj tyre rëndon akuza e vr.asjes me dashje në mënyrë indirekte.
Në shënjestër të hetimeve janë ndërtesat, shembja e të cilave la pas jetë të shuara, si Konvaleshenca, hotel Mira Mare, hotel Tropikal, Vila Palma, pallati 6 Katësh, por edhe ndërtesat e tjera të dëmtuara që janë shpallur pabanueshme.
Mësohet se deri tani janë arrestuar pronarët e hotel Vila Palma Deshira dhe Arben Qato, pronari i hotel Barons Artur Terziu, drejtori dhe nëndrejtori i Konvaleshencës, Ahmet Doda dhe Kujtim Hasa, Arben Isaku ish-drejtor ALUIZNI tashmë nëndrejtori i Kadastrës Durrës, Aldo Dakovelli shef sektori në Kadastrën e Durrësit dhe Artemis Malko punonjës terreni. Ndërsa vijojne të jenë në kërkim ish-drejtori i ALUZINIT Durrës, Flamuri Gjuzi dhe ndërtuesi i banesës ku humbën jetën 8 anëtarë të familjes Lala.
Mes të arrestuarve në Durrës për shembjen e objekteve nga tërmeti, të akuzuar për ndërtime abuzive në kuadër të hetimeve që po bëhen janë edhe Arben dhe Dëshira Qato pronarë Vila Palmës. Por kush është Arben Qato? Ai nuk është një emër i panjohur për Durrësin, aq më tepër për strukturat e LSI-së, pasi ka qenë kandidat i kësaj partie për deputet më 2017 në qarkun e Durrësit. Ai ishte i 10-ti në listn e LSI-së për Durrësin. Nga shembja e Vila Palmës humbi jetën Sadik Qato, babai i tij, ndërsa u nxor i gjallë djali i Klajdi Qato.