Dje zyrtarisht nisi punimet Kuvendi i Shqipërisë. Politikanët “profesionistë” u ulën në karriket e tyre, ku akoma 22 vende mbeten bosh dhe kështu do të vazhdojnë deri në mbyllje të kësaj legjislature. Askush nuk u kujtua për to, edhe pse përbëjnë më shumë se 15% të totalit, edhe pse teorikisht po kaq shqiptarë që votuan me 25 qershor 2017 mund të konsiderohet me të drejtë të papërfaqësuar.
Nuk u kujtuan se sigurisht nuk është ky problemi më i madh i këtij vendi. Termeti nga baza në qendër në drejtoritë e tatimeve, largimet e zëvendësimet, lëvizjat paralele dhe dorëheqjet janë këmbanë e fortë alarmi se edhe financat e shtetit nuk janë në gjendjen më të mirë të mundshme.
Megjithë përpjekjet për paraqitjen e sezonit turitisk si të suksesshëm, operatorët në mbarë vendin e paraqesin si një nga më të dobëtit e viteve të fundit. “30 qershori” dhe situata që e pasoi e po vazhdon, e kushtëzuar ndjeshëm këtë sektor.
Kjo vjeshtë, pa më të voglin dyshim, pritet të jetë e vështirë për këtë vend. Mazhoranca dhe opozita e vertetë, vazhdojnë të lëvizin në dy shina të ndrzshme, madje edhe në kahe të ndryshme. Të dyja nxitojnë: Mazhoranca drejt 2021-it, opozita për të shkurtuar sa më shumë e sa më shpejt distancën drejt takimit elektoral.
“30 qershori, ashtu si dhe “litari i Nastradinit”, kanë lënë problemet pas. Një raport i OSBE/ODIHR pritet të vendosë “vulën” por që gjithsesi, nuk detyron askënd të veprojë siç ai mund të orientojë. Gjykata Kushtetuese, e cila por pritet nga të gjithë siç pret “qyqja- verën”, edhe në shtator nuk do të jetë gati. Në të njëjtin drejtim duket se do të ecë edhe SPAK dhe BKH-ja, dy hallka të rëndësishme të reformës në drejtësi, të cilës Presidenti i emri i dha edhe nofkën “Ramaformë”.
Kreu i shtetit, sipas përllogaritjes së numrave aktualë në Kuvend, po jeton ditët e fundit në këtë post. I është caktuar data 6 shtator për të sqaruar pozicionin e tij para Komisionit Hetimor, i cili sipas gjasave do të votojë shkarkimin e tij. Natyrshëm, në të njëjtën linjë do të shkojë edhe Kuvendi. Nuk dihet akoma nëse do të ketë ndikim një opinion i pritshëm i Komisionit të Venecias, i cili këto ditë do të ketë një mision faktmbledhës në Tiranë pikërisht për çështjen e shkarkimit të Kreut të shtetit.
Mesi i tetorit, është një tjetër takim i rëndësishëm me historinë e rrugëtimit të stërzgjatur e të vonuar të këtij vendi drejt BE-së. A do të çelen negociatat me BE-në, apo vendi do të rrëshqasë në “kategorinë e fundit” me Bosnjen e Kosovën, duke zbritur nga “treni” i përbashkët me Maqedoninë, edhe pse të dyja vende antare të NATO-s.
Nuk ka dyshim se edhe këtë vjeshtë, “ëndrra” më e madhe e shqiptarëve, do të vazhdojë të mbetet emigracioni. Largimi “nga sytë këmbët” nga ky vend, do të sjell një tkurrje tjetër të numrit të atyre që do të mund të votojnë kur të vijë momenti. Ndërkohë, ata që kanë në dorë fatet tona e të emigrantëve, do të përbetohen se do të mundësojnë votimin e emigrantëve nga vendet ku jetojnë. Por e sigurte, nuk do ta realizojnë.
Në Rinas, do të ketë përsëri avioni linje e çarter që sjellin fatkeqët që nuk siguruan dot azil apo që u kapën duke punuar pasi u ka kaluar afati tre mujor i qëndrimit në Shengen.
Numri i familjeve me probleme ekonomike, nuk ka asnjë mundësi të zvogëlohet. Ndihma ekonomike e shtetit nuk do të mund tu sigurojë as “bukë e djathë” për gjithë muajin. Afrimi i stinës së ftohtë, do të rrisë edhe çmimet, duke minimizuar mundësitë e familjeve për një jetesë deri diku normale. Rritja e shpenzimeve dhe niveli i njëjtë i të ardhurave, do të rikthehjën stresin në nivelet më të larta të mundshme.
Këtë verë, pati më pak emigrantë të kthyer në vendlindje për pushime apo nga malli për atdheun. Edhe remitancat, ashtu si dhe euro- dollarët e injektuar në ekonomi gjatë vetës, ishin më të pakta. Edhe pse në mënyrë paradoksale leku “i tregoi muskujt” gjatë gjithë verës sidomos Euros. Me vjeshtën, monedha europiane do të ringrihet sërish, duke shtuar edhe një tjetër problem për ekonominë e shqiptarëve.
Shkurt, një vjeshtë e vështirë për këtë vend. Pa u thelluaar shumë tek pjesa politike. Protesta ose jo… Një vjeshtë e vështirë e pret këtë vend! /Nga Blerti DELIJA/