Si sot 29 vite më parë, mijëra shqiptarë në katër anët e vendit, po peshonin me mendjen e tyre mundësinë e largimit nga ky vend. Kishte nisur të frynte një erë demokracie pas rrëzimit të Murit të Berlinit por edhe pas ekzekutimit të Çausheskëve në Rumani. Në ditët e para të korrikut 2019, mori udhë ai që njihet si Eksodi i Ambasadave që nisi dhe fatkeqësisht ka vijuar e vazhdon edhe këto ditë.
Sipas gjasave, do të ketë edhe një eksod të ri. Ndoshta me përmasa edhe më të mëdha se ai i para tre dekadave. Premisat duken dhe nuk duhet të kalojë shumë kohë që të vertetohen ose përgenjeshtrohen.
Teksa para 29 viteve, eksodi erdhi në një moment kur dukej se perdja e hekurt po çahej dhe përtej saj mund të shihej një rreze drite, sot jemi në kushte të ndryshme. Monopolizimi i pushteteve është çeshtje ditësh, javësh, një muaji. Mbase tingëllon çuditshëm sot në vitin 2019, por jemi në prag të kthimit të monizimit, të një partie që ka në dorë çdo gjë.
E kjo, nuk ka lidhje shumë me përkatësinë politike, por me atë që po ndodh para syve të miliona shqitarëve këtej por edhe andej kufirit.
Me 30 qershor, do të ketë zgjedhje. Dikush i quan votim ndërsa si për ironi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur edhe sensibilizimin e votuesve për mënyrën si duhet të votojnë! Jemi në kufijtë e barcaletës, në një anomali, të ashtu si “çmendurin kolektive 1997”, jemi përsëri dëshmitarë të pafuqishëm i njëjti brez. Në mbi 30 bashki, partia “timoniere” në pushtet, ka e vetme që në këto momente kryetarin sepse nuk ka asnjë rival. Në 31 të tjera, kjo parti do të ketë përballë “partiçka” me një furgon elektorat si dhe, një parti vetëm dy muajshe. E vetmja “zgjedhje”, mund të jetë në Këshillat Bashkiakë, ku është përsëri e sigurtë se partia në pushtet do ti marrë në mazhorancë të thellë. E nisur nga ky arsyetim, numri 2 i partisë në pushtet e deklaroi hapur: Do të marrim të 61 bashkitë.
Nuk ishte rastësi që edhe në foltoren e hapjes së fushatës elektorale, u ngjitën vetëm 16 persona, ata që kandidojnë për kryetarë në bashkitë e fituara nga opozita në zgjedhjet e para 4 viteve.
Jemi në kushtet e një monizmi demokratik. Partia më e vjetër e lindur pas 1990-ës ka vendosur të mos futet në zgjedhje. Partia më e vjetër, e lindur para 1990-ës, ka vendosur të futet e vetme në garën pa garë të 30 qershorit. Mendoj se në është momenti që sot të diskutohet kush e ka mirë dhe kush e ka gabim në zgjedhjen e bërë.
Sot është momenti të kthejmë kokën pas dhe të shohim ku ishim 29 vjet më parë, çfarë ëndërruam, çfarë kërkuam, ku jemi sot dhe ku do të jemi pas 30 ditëve apo edhe një viti. Nëse do të përpiqemi të gjejmë fajtorë, jo vetëm është humbje kohe, por nuk jep asnjë shpresë për një të nesërme më të mirë.
Rreziku është evident dhe askush nuk mund ta fshehë kokën si struci. As edhe ata që sot, për një arsye apo tjetër bëjnë tifo për partinë në pushtet apo tjetrën përballë saj- tashmë jashtë institucioneve. Parlamenti është njëngjyrësh, qeveria njëngjyrëshe, tani edhe pushteti vendor njëngjyrësh. A është kjo, ajo që kanë kërkuar shqiptarët në 1990-ën?! Monopolizimi i pushtetit është i rrezikshëm, në duart e një individi është katastrofik. Po ata që për një arsye apo tjetër, të vlefshme apo jo, të gabuar ose jo, nuk rreshtohen në anën e partisë në pushtet, kush do ti përfaqësojë, kush të të ngrejë zërin për ta, kush do të ketë veshë për ti dëgjuar…?!
Sot është vonë. E nesërmja po shihet sot, fatkeqësisht. “Të lësh duhanin dhe të ikësh nga ky vend, nuk është asnjëherë vonë!”, më thoshte në pedagog i imi në universitet në vitin 1996. Sidomos kur rrezikojmë të kthehemi në një muaj, 29 vite pas. /Nga Blerti DELIJA/