Mesnata e sotme shënon afatin e fundit ligjor, sipas Kodit Zgjedhor, për regjistrimin e subjekteve politike pjesëmarrëse në zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Sipas gjasave, sonte do të shënohet edhe shuarja e mundësisë reale, ligjore për zhvillimin e zgjedhjeve vendore sipas dekretit të Presidentit të Republikës. Pamundësia kuptohet thjesht, pa qenë jurist, vetëm duke lexuar Kodin Zgjedhor në fuqi.
Ligjvënësi, me hartimin e Kodit Zgjedhor, i ka dhënë ngjyrim të plotë politik administrimit të tërë procesit, madje me baraspeshë deri në detaje në mes mazhorancës dhe opozitës. Neni 29 i Kodit Zgjedhor, Kapitulli „Përbërja e KZAZ-së“, shkruhet qartë e zezë mbi të bardhë:
1. KZAZ-ja përbëhet nga 7 anëtarë dhe sekretari, të cilët emërohen nga KQZ-ja, sipas procedurës së mëposhtme:
a) dy anëtarë propozohen nga partia kryesore e shumicës parlamentare, dy anëtarë propozohen nga partia kryesore e opozitës parlamentare, një anëtar propozohet nga partia e dytë e shumicës parlamentare dhe një anëtar propozohet nga partia e dytë e opozitës parlamentare. Në rast se nuk arrihet baraspeshimi politik, sipas kësaj shkronje, grupi përkatës kompensohet me kandidaturat e partisë kryesore deri në baraspeshimin politik shumicë-opozitë;
b) anëtari i shtatë propozohet në gjysmën e KZAZ-ve nga partia e parë e shumicës parlamentare, kurse gjysma tjetër nga partia e parë e opozitës parlamentare…
Deri në këto momente, partitë kryesore opozitare PD dhe LSI, nuk kanë dorëzuar dhe nuk pritet të dorëzojnë emrat për KZAZ-të. Kodi Zgjedhor nuk e parashikon një situatë të tillë, kur partitë opozitare kryesore nuk paraqesin kandidatura për KZAZ-të. Nga ana tjetër, i njëjti ngërç konstatohet edhe në krijimin e Grupeve të Numërimit të Votave. Neni 95 i Kodit Zgjedhor, Kapitulli “ Ngritja e Grupeve të Numërimit të Votave (GNV)“, pika 2 e parashikon qartë ngjyrimin e domosdoshëm politik si më poshtë:
Grupet e numërimit të votave përbëhen nga katër anëtarë, ku në çdo rast një anëtar emërohet pas propozimit të partisë politike, së cilës i përket kryetari i KZAZ-së, një anëtar pas propozimit të partisë që i përket nënkryetari, ndërsa anëtari i tretë propozohet nga partitë e shumicës qeverisëse dhe anëtari i katërt emërohet pas propozimit të partive të opozitës që kanë të drejtë të propozojnë anëtarë të GNV-ve për ZAZ-të respektive, sipas procedurës së parashikuar në nenin 96 të këtij Kodi…
Mbase mund të mendohet se zgjedhjet mund të administrohet edhe ma opozitën në KZAZ apo GNV. Në fakt, Kodi Zgjedhor e pamundëson edhe këtë. Në gjysmën e KZAZ-ve, të përcaktuar me short numra tek apo çift, shumica duhet të jetë e opozitës. Gjysma tjetër, është shumicë pozita qeverisëse. Nëse KQZ do „të çmendej“ dhe të niste administrimin e zgjedhjeve përmes KZAZ-ve, në gjysmën prej tyre do të mungonte kuorumi si rezultat i mosdërgimit të emrave nga opozita. Ndokush mund të mendonte edhe KZAZ njëngjyrëshe, pra të gjitha të partive të mazhorancës. Do të ishte shkelje flagrante e Kodit Zgjedhor, baras me një „grusht shteti“ institucional.
Zgjidhja e vetme mund të vinte në këtë situatë, nga interpretimi i mundshëm i Kodit Zgjedhor nga Gjykata Kushtetuese, por ajo është asgjësuar tashmë. Shpresa e vetme do të ishte Komisioni i Venecias, ku KQZ mund të dërgonte Kodin Zgjedhor për interpretim. Përveç kohës së gjatë të përgjigjes nga Venecia, e cila mund të kërkojë edhe 3 muaj, ky komision vetëm jep rekomandime sepse vendimet në këtë rast do të duhet ti marrë vetëm Gjykata Kushtetuese.
Mesnata e sotme do të shënojë „de jure“ dhe „de facto“ vdekjen e zgjedhjeve të 30 qershorit. Gjithmonë nëse do të zbatohet ky Kod Zgjedhor që është në fuqi aktualisht. Rruga tjetër do të ishte ndryshimi i Kodit në Kuvend, i cili kërkon shumicë të cilësuar. Por edhe nëse kjo arrihet me „opozitën e re“, ndryshimet e Kodit Zgjedhor nuk lejohen me kaq pak kohë para 30 qershorit.
Ajo që mund të ndryshojë „rregullat e lojës“, edhe ato ligjore në Kushtetutë e Kod Zgjedhor, është marrëveshja politike. Në situatën aktuale, vështirë të ndodhë. E sigurtë është se ligjërisht, zgjedhjet e 30 qershorit sonte në 12.00 të natës vdesin! /Nga Blerti DELIJA/