Sot, Aneta Rama ka festuar ditëlindjen. Kryeministri i vendit, djali i zonjës në fjalë ka publikuar njl foto ku i biri- Zaho, i dhuron lule gjyshes. Deri këtu, çdo gjë është normale. Pavarësisht se kryeministër, Edi Rama ka të drejtë të festojë edhe publikisht ditëlindjet e njerëzve të afërt.
Thuajse në të njëjtën kohë, një djalë 9 vjeçar bashkë me motrën e tij më të vogël, por prisnin që babai i tyre të kthehej në shtëpi, mbase për të shijuar të gjithë bashkë drekën. E në vend të babait të dashur, në shtëpi mbërriti lajmi i tmerrshëm që tashmë e dimë të gjithë…
Edi Rama prej 5 vitesh është “babai” i Shqipërisë, nëse duam ta shohim si një familje të madhe këtë vend. E prej më shumë se një viti, është një “baba” që e gjithë “familja” ka vendosur të jetë zot i pakontestueshëm i kësaj “shtëpie të madhe”.
Prej ditësh jemi dëshmitarë të paradave të sukseseve të qeverisë. Më e fundit dje, për të na treguar se ishte sezoni më i mirë turistik që vendi ka kaluar ndonjëherë me 500 milion eurë të injektuara në ekonominë e vendit. E vertetë ose jo, këto para nuk mund të kthejnë mes fëmijëve babain që sot iku nga kjo botë, edhe për faj të qeverisjes së Edi Ramës.
Natyrisht, nuk guxoj ta akuzoj për përgjegjësi direkte në këtë vrasje apo të tjerat para saj. Por si “zot shtëpie” nuk mund të shfajësohet 100%. Ai ka një ministër të brendshëm dhe një drejtor të përgjithshëm të Policisë që prej muajsh i kanë rënë këmbanave të alarmit për Shkodrën. Kanë folur, bashkë me ish- ambasadorin amerikan Lu për krimin që ka vënë poshtë Shkodrën, kanë folur për “Forcën e Ligjit”.
Por, siç edhe sot, Edi Rama tregohet indiferent. Në një shtet normal, me këtë përshkallëzim vrasjesh dhe ngjarjesh të tjera në një qytet, nuk do të ishte çudi të instalohej edhe qeveria për një farë kohe, pa folur për ministrin e Brendshëm, Drejtorin e Policisë së Shtetit apo edhe të tjerë. Nuk dua ta besoj se kryeministri, pasi ka nxjerrë në kategori të dytë Shkodrës sa i takon vemendjes së investimeve të rëndësishme direkte zhvillimore, po e anashkalon edhe për çështje që lidhen me sigurinë e jetës.
Mungesa e 2-3 rreshtave në rrjete sociale, që nuk mundojnë edhe si përgjigje hokatare ndaj komentuesve “sa për të kaluar kohën” në llogaritë e kryeministrit, më la një shije të keqe. Disa rreshta për ti treguar Shkodrës që nuk është lënë në mëshirën e fatit, që nuk është vetëm, që po punohet për zbardhjen e kësaj vrasje dhe të tjerave, për të frenuar këtë vakë krimesh që ka krijuar një psikozë frike të përgjithshme në këtë qytet. As edhe një rresht, as edhe një ngushëllim në distancë për një djalë edhe një vajzë të mitur që mund të kenë moshën e djalit të tij dhe që nga sot, nuk do ta shohin më babanë e tyre. E kur nuk kujtohet kryeministri, natyrisht as deputetët e ministrat e tij që u ulën në karrike edhe falë votave të shkodranëve.
Nuk dua ta besoj se ka një strategji për të terrorizuar Shkodrën para zgjedhjeve vendore. Nuk dua të besoj se edhe krimi është i lidhur me policinë e politikën deri në atë pikë sa ti komandojë ata. Nuk dua ta besoj se emigracioni është receta që indirekt ky kryeministër e kjo qeveri po u imponon shqiptarëve. Nuk mund të jetë e vërtetë edhe për një arsye tjetër. Edi Rama është nip Shkodre, madje dikur e tregonte me krenari. Më duket se kur ishte në opozitë.
E në kaq pak vite Shkodra nuk besoj ka ndryshuar shumë. Por ka ndryshuar Edi Rama dhe qasja e tij për Shkodrën. Uroj që të jetë vetëm për arsye politike! /Nga Blerti DELIJA/