Federata e Futbollit e Kosovës ka organizuar manifestimin tradicional “Laureatët e Vitit 2017”, në hotelin ‘Emerald’ në praninë e mysafirëve të shumtë. Fillimisht të pranishmëve iu drejtua presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri, i cili u shpreh i kënaqur me punën e bërë gjatë vitit që e lamë pas, por tha se gjatë këtij viti FFK-në e pret një punë e madhe dhe se gjithmonë do të ketë vend për përmirësime të mëtutjeshme.
Me një përshëndetje rasti të pranishmëve iu drejtua edhe ministri i sportit, Kujtim Gashi, i cili konfirmoi edhe një herë përkrahjen për futbollin si sportin më të popullarizuar, duke potencuar se qeveria e ka vendosur sportin si prioritet dhe se shumë shpejtë do të fillojë ndërtimi i Stadiumit Nacional në Drenas.
E ftuar në të aktivitet ishte edhe kryetarja e Bashkisë Shkodër Voltana Ademi, e cila u nderua me çmimin “Mirënjohje” për kontribut të veçantë nga Federata e Futbollit të Kosovës. Motivacioni ishte për pritjen e ngrohtë dhe vëllazërore por edhe impenjimin maksimal të strukturave bashkiake të Shkodrës gjatë qëndrimit në metropilin e Veriut të Shqipërisë të Kombëtares së Kosovës, e cila sic dihet zhvilloi ndeshjet ndërkombëtare në “Loro Boriçi”. Vlerësimi iu dorëzua Ademit nga presidenti i FFK-së Fadil Vokrri. Nga ana e saj Ademi vlerësoi çmimin e akorduar nga FFK-ja, duke e konsideruar si një vlerësim për Bashkinë e Shkodrës dhe qytetarët e saj.
Me mirënjohje u nderuan gjithashtu zyrtarët e UEFA-s, Thiery Favre, Petr Fousek dhe Bjorn Vassallo, pastaj Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Federata Shqiptare e Futbollit, Policia Shqiptare, Policia e Kosovës, TEB Banka, Malësia Reisen, Vala, Hotel Emerald, Digitalb, Hotel Internacional Prishtina, Shoqata e Gazetarëve Sportiv të Kosovës, Grupi i tifozëve ‘Dardanët”. Me mirënjohje për kontributin e dhënë për futbollin kosovar u nderuan Shefqet Thaçi, punëtor shumëvjeçar i FFK-së, si dhe përzgjedhësi i deritashëm, Albert Bunjaku. Me mirënjohje postmortum u nderuan: Agim Maloku, Remzi Kurshumliu, Hashim Ajeti, Përparim Cermjani, Shkëlqim Pllana, Hysen Hyseni, Rifat Ymeri, Shemsi Humolli, Emin Simnica, Maliq Lushaku, Hamit Shishko, Ramadan Hoxha, Hajrush Latifi, Hafiz Gashi, Nexhat Halimi, Muharrem Maksuti, Kadri Ahmeti, Bedri Zhubi dhe Beqir Hoxha. Me çmimin punëtori sportiv i vitit u nderua Xhevdet Shoshi. Klubi më i mirë në futsall u shpall Liburni nga Gjakova, derisa anëtari i këtij klubi, Halim Selmanaj, u shpall lojtari më i mirë. Në futbollin e femrave klubi më i mirë u shpall Hajvalia, derisa me çmime u nderuan Zelfije Bajramaj (Hajvalia), Edona Kryeziu (Mitrovica) dhe Verona Berisha (Kosova P). Klubi më ‘Fair Play’ u shpall “Trepça ‘89”. Ky klub njëherësh e fitoi edhe çmimin e klubit më të mirë për vitin 2017. Gjyqtari më i mirë i vitit u shpall Genc Nuza, derisa trajneri më i mirë Zekirja Ramadani.