
Reparti i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë Shkodër, është nderuar me dekoratën e lartë “Dekoratë e Artë e Shqiponjës” nga presidenti i Republikës Ilir Meta në kuadër të 105- vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit. Lajmi është bërë publik në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit në internet ku shkruhet: “Në 105 vjetorin e krijimit të Policisë së Shtetit, Repartit të Ndërhyrjes së Shpejtë Shkodër i jepet “DEKORATA E ARTË E SHQIPONJËS”.
Presidenti i Republikës, i ka akodruar Repartit të Ndërhyrjes së Shpejtë Shkodër “DEKORATË E ARTË TË SHQIPONJËS”, me motivacion:
“Në vlerësim të kontributit për të ruajtur dhe forcuar rendin dhe sigurinë në vend, për akte të guximit qytetar në luftën kundër krimit dhe për shpëtimin e jetës së shtetasve dhe pronës gjatë situatave emergjente”. Ndihemi krenar me ju, Suksese të gjithë ekipit.”. Reparti FNSH Shkodër ka dhënë një kontribut të qenësishëm brenda dhe jashtë territorit të Shkodrës, aty ku është kërkuar prania e tij. Përveç përballjes me krimin, FNSH Shkodër ka dhënë kontribut të vlefshëm edhe gjatë situatave të vështira që ka kaluar vendi për shkak të fatkeqësive natyrore.