Viti i ri shkollor ka startuar sot si në të gjithë vendin edhe në Malësinë e Madhe. Nxënësit i janë drejtuar shkollave 9- vjeçare dhe të mesme në të gjithë territorin. E veçantë ka qenë kjo ditë në Dedaj, ku është përuruar edhe shkolla e re. Në ceremoninë e organizuar për fillimin e vitit të ri shkollor, kanë qenë të pranishëm autoritete vendore, të arsimit etj.
Përshendetjen e rastit e ka bërë kryebashkiaku i Malësisë së Madhe Tonin Marinaj, i cili pasi ka uruar vitin e ri shkollor për të gjithë nxënësit në territorin e kësaj njësie administrative, ka siguruar se arsimi ka qenë dhe mbetet prioritet dhe se ndërhyrjet në këtë sistem, do të jenë të vazhdueshme.
Shkolla e Mesme e Bashkuar “Kolë Martini” ka ndryshuar totalisht, qoftë në pamjen e jashtme, të brendshme dhe kushtet që ofrohen për nxënësit, mësuesit e prindërit. Rikonstruksioni i shkollës “Kol Martini” është mundësuar falë financimit të Programit Italo–Shqiptar të Konvertimit të Borxhit për Zhvillim (IADSA).