Vllaznia ka mbyllur sezonin e saj më të suksesshëm prej më shumë se një dekade në futbollin shqiptar, duke kthyer edhe një herë entuziazmin që mungonte preh vitesh në qytetin verior rreth skuadrës së futbollit. Por për kuqeblutë, vendi i dytë me pikë të barabarta me Teutën fituese të kampionatit si dhe triumfi në Kupën e Shqipërisë, ka sjellë me vete një kosto të lartë.
Sipas asaj që ka mësuar VIP Sport, situata në klubin kuqeblu nuk është aspak e qetë dhe jo vetëm për shkak të vonesës së rinovimit të Thomas Brdariç. Ashtu si tekniku gjerman, tashmë edhe lojtarët kanë rritur pretendimet e tyre financiare, të tunduar nga oferta të ndryshme që kanë marrë nga klubet e tjera në Superiore apo jashtë saj.
Meqenëse një pjesë e madhe e futbollistëve që kanë patur rol kryesor në skuadër kanë opsione në kontratë që u mundëson largimin, ata kanë nisur negociata edhe me klube të tjera të Superiores, duke vendosur Vllazninë në një pozicion të vështirë, pasi nuk mund të ndalojë eksodin pas pjesëmarrjes në Europë.
Klubi kuqeblu për momentin nuk ka financat për të përballuar kërkesa që në raste të veçanta kanë shkuar deri në 10 mijë euro në muaj nga lojtarët, duke sjellë telashe në përgatitjen e kthimit në arenën ndërkombëtare, por edhe sezonin e ardhshëm. /vipsport.al/