Shkruan ne Facebook Lulzim Basha kryetar i PD-se: “Njeriu që për tre vjet mohoi problemin e drogës në Shqipëri, duke bekuar kthimin e saj në vendin kryesor të drogës në Europë, sot befas deklaroi se e paska zgjidhur këtë problem. Askush nuk është arrestuar, asnjë drejtues i trafikut nuk është zbuluar, asnjë organizatë trafikantësh nuk është goditur, asnjë rezultat konkret nuk ka patur në asnjë drejtim. Por kryeministri ka shpallur fitoren e luftës që nuk ka ndodhur.
Tani që droga shqiptare dhe krimi i organizuar është kthyer në problem politik për qeveritë europiane dhe BE-në, duke rrezikuar integrimin e Shqipërisë dhe kthimin e vizave për shqiptarët, Edi Rama nuk e fsheh dot më, ndaj ka vendosur ta pranojë dhe menjëherë të shpallë fitoren e luftës imagjinare ndaj saj.
Por nga ana tjetër promovon Gramoz Rucin të cilit që nga 2005 qeveria amerikane i ka refuzuar hyrjen në SHBA për shkak të përfshirjes në krimin e organizuar dhe trafikun e drogës, dhe Fatmir Xhafën e përfshirë në mbrojtjen e të vëllait të dënuar nga Italia për trafikun ndërkombëtar të kokainës.
Është një lojë e rrezikshme: inkurajim për trafikantët dhe kriminelët që vazhdojnë të patrazuar dhe shkurajim për policët e ndershëm dhe të gjithë shqiptarët që duan ta luftojnë drogën. Është një lojë që do ketë pasoja për shqiptarët dhe të ardhmen e Shqipërisë. Ndaj nuk do ta ndalim asnjë ditë betejën kundër kësaj të keqe që ka pllakosur vendin, demokracinë dhe ekonominë tonë.” /ShkodraWeb/