Ilir Meta i është vënë përballë Edi Ramës. Anulimi i paralajmëruar i dekretit për zgjedhjet e 30 qershorit, shënoi daljen në sipërfaqe të një marrëdhënie të vështirë, sidomos pas 16 shkurtit.
Presidenti i Republikës u pozicionua qartë sonte. Deklarata që i paraprin dekretit që anulon zgjedhjet vendore, e vendosi atë publikisht në anën e kundërt të barrikadës me kryeministrin.
Rastësia apo edhe një skemë jo e mirëllogaritur e Edi Ramës, e ka lënë Ilir Metën si të vetmin garantues të Kushtetutës dhe kushtetutshmërisë në vend. Asgjësimi i Gjykatës Kushtetuese nga reforma në drejtësi, i ka dhënë të gjithë tagrat Presidentit të Republikës të gjykojë në lidhje me kushtetutshmërinë e dekretit të 30 qershorit në kushtet kur nuk pritej të kishte zgjedhje por votim me një alternativë.
Ka qenë një vendim jo i lehtë dhe natyrisht, pritet si do të reagojnë institucionet. Teorikisht, rënia e dekretit të Metës për zgjedhjet, pamundëson edhe juridikisht zhvillimin e zgjedhjeve me 30 qershor, në kuptimin e legjitimetit të tyre. Edi Rama tha se zgjedhjet do të zhvillohen, por në fakt legjitimiteti i tyre nuk ekziston më për 30 qershorin.
Aktori kryesor i 30 qershorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pak në dorë. Në momentin që presidenti me anë të një dekreti, shfuqizon dekretin e mëparshëm për datën e zgjedhjeve, çdo veprim i mëpastajshëm bëhet jolegjitim. Kjo, pavarësisht se shumica politike në këtë institucion, mund të vendosë të vazhdojë bazuar në dekretin e parë të Metës për 30 qershorin.
Nga sot, kriza e thellë politike dhe pa ura të mundshme, “pasurohet” edhe me një ngerç institucional që nuk lë asnjë hapësirë zgjidhje përveç një marrëveshje politike që ngrihet mbi të gjitha institucionet. Sepse jemi në Shqipëri!
Sipas gjasave, Edi Rama do të vazhdojë atë, të cilën do të vazhdojë ta quajë “fushatë zgjedhore”. Nëse KQZ zgjedh linjën e vazhdimit të përgatitjeve për 30 qershorin, nuk është çudi që përmes dorëheqjeve të antarëve të propozuar nga opozita aktuale, ky institucion të shpërbëhet.
Ndërkohë, nuk është aspak çudi që Edi Ramë të bëjë edhe ndonjë lëvizje tjetër. E para mund të jetë dërgimi i ngërçit institucional për një opinion në Komisionin e Venecias në kushtet e mungesës së Gjykatës Kushtetuese. Ky institucion këshillimor, nuk mblidhet dhe nuk merr vendim shumë shpejt. Sipas gjasave, duhet të kalojnë 3 muaj.
Por kryeministri mund të shkojë edhe në ekstrem. Mund të akuzojë presidentin për shkelje të Kushtetutës me rrëzimin e datës së zgjedhjeve. Mund të krijojë një presion publik por edhe popullor përmes vazhdimit të fushatës së 30 qershorit. Gjithmonë, nëse ndërkombëtarët nuk do të flasin duke u pozicionuar publikisht.
Nga sonte, Ilir Meta nuk është më ndërmjetës i paanshëm apo mbi palët. Të paktën për Edi Ramën e mazhorancën që kryeson. Por nga ana tjetër, kreu i shtetit ka një precedent për “zhdekretimin” e datës së zgjedhjeve. Madje të pranuar nga ai, edhe pse për hir të realitetit, erdhi pas një marrëveshje politike Rama- Basha me 17- 18 maj 2017. Paraardhësi i tij Bujar Nishani, shtyu me një javë zgjedhjet politike, pikërisht duke nxjerrë një dekret të ri pasi anulloi një tjetër.
Salvador Allende, pra Ilir Meta, është shprehur i gatshëm edhe për të hequr dorë nga posti i presidentit. Nëse këtë do t’ia kërkojë Edi Rama në shërbim të gjetjes së një ndërmjetësi të ri mes palëve për zgjidhjen e krizës politike, pa më të voglin dyshim që Ilir Meta do të largohej për tu rikthyer në LSI. Në këtë rast, zgjedhjet politike do të ishin “pas dere”.
Por të gjithë skenarët e mundshëm, janë në varësi të argumentimit ligjor të dekretit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe pozicionimit të ndërkombëtarëve nëse Ilir Meta është apo jo “burrë shteti”. /Shënim i ShkodraWeb/