61- vjeçari i ekzekutuar mëngjesin e sotëm kishte 15 vite i larguar nga policia rrugore, dyshohet se u vra për të birin…

Ish- polici i rrugores në Kurbin, Xhelal Reçi, 61 vjeç, është ekzekutuar më armë zjarri në orën 07:23 sapo doli nga makina e tij tip ‘Benz’ për të hapur bizneset e tij, i cili kishte në pronësi një butik dhe një bar- kafe në qendër të Laçit.

Autorët duket se kanë qenë duke e ndjekur dhe shfrytëzuan momentin kur ai zbriti nga makina për ta sulmuar me armë zjarri pistoletë! Autorët e kanë ruajtur dhe vëzhguar prej ditësh 61-vjeçarin para se ta vrisnin atë. Xhelal Reçi është qëlluar me dy plumba, njëri prej të cilit e ka kapur në gjoks dhe me reflekset e ish policit ka tentuar t’i shpëtojë sulmit duke hyrë në një rrugicë mes dy objekteve! Por plaga që kishte marrë ishte vdekjeprurëse! Xhelali njihej si njeri i urtë dhe i qetë dhe kishte 15 vite që kishte lënë profesionin e policit.


Paraprakisht, autorë dyshohet se ishin dy persona, njëri në cilësinë e ekzekutorit dhe tjetri shofer, të cilët janë larguar me makinën tip ‘Toyota’ dhe e kanë djegur atë në Milot. Më pas ata dyshohen se mund të jenë ndihmuar nga persona të tjerë dhe janë larguar për të humbur gjurmët!

Deri tani janë shoqëruar 12 persona dhe janë sekuestruar disa kamera sigurie. Nuk dihen ende se kush janë autorët, por fakti që zona ka shumë kamera sigurisë dhe është e banuar mund të hedh dritë shpejt në identifikimin e autorit.

Pistë kryesore e hetimit të ekzekutimit të Xhelal Reçi janë konfliktet e të birit Besnik Reçi, të cilit një vit më parë i është bërë një atentat gjatë kohës që po lëvizte me familjen e tij. Ngjarja ndodhi në gusht të 2020, ku Besnik Reçi ishte në makinë bashkë me familjen e tij, bashkëshorten dhe dy fëmijët e mitur, kur u qëllua nga dy persona që lëviznin me motor. Fatmirësisht nga plumbat nuk mbeti njeri i lënduar, ndërsa ngjarja nuk është zbardhur as sot.

I biri Besnik Reçi njihej si një person tejet problematik, ku sherret dhe konfliktet i kishte të shumta me personat në Laç e më gjerë. Që prej kohës që i është bërë atentati, Besnik Reçi ka qëndruar pothuajse i fshehur dhe nuk ka lëvizur në ambiente të hapura, për shkak të frikës se mund ta vrisnin.

Pas ngjarjes së rëndë policia e Lezhës, menjëherë ka rrethuar zonën dhe ka ngritur pika kontrolli, me qëllim kapjen e autorit. Në ndihmë të Policisë lokale janë nisur grupe të FNSH-së dhe një grup i posaçëm hetimor për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.