Partia Socialiste do të mbledhë të shtunën, më 23 mars, Kongresin e saj elektoral, i cili do të fokusohet tërësisht në zgjedhjet vendore të 30 qershorit.
Ndryshe nga ç’ishte premtuar, kryesia e PS-së ka bërë një lëvizje taktike për të mos shpallur të shtunën zyrtarisht kandidatët e saj në të 61 bashkitë e vendit, për shkak se edhe PD-ja është larg të qenit gati për këto zgjedhje.
Dhe pse një pjesë e mirë e tyre dihen tashmë dhe po punojnë në terren me organizimet e tyre partiake dhe elektorale, zyrtarisht Partia Socialiste pritet t’i bëjë ata publikë pak para përfundimit të afatit për t’i dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Megjithatë, edhe pse Kongresi i së shtunës nuk do të ketë emrat zyrtarë të kandidatëve socialistë për 61 bashkitë, konteksti elektoral për zgjedhjet e 30 qershorit do të përshkojë dy seancat e tij, paraditen dhe pasditen e së shtunës.