Shqiptarët i përgjigjen në mënyrën më fantastike thirrjes për të kontribuar me fonde për familjet e dëmtuara nga termeti në Thumanë e Durrës. Në portalin e-albania/dhuro vazhdojnë të dhurohen shuma sipas mundësisë nga shqiptarë brenda kufijve, ata që jetojnë jashtë por edhe të huaj që kanë një lloj lidhje me vendin tonë. Deri në orën 13.00 të ditës së sotme janë mbledhur mbi 1.5 miliardë lekë të vjetra, mbi 1.6 milion euro dhe më shumë se 25 mijë dollarë.
Secili mund të dhurojë sipas mundësisë, sado pak për familjet e përfshira nga pasojat e termetit, janë një ndihmë e vyer. Në spotin e më poshtëm sensibilizues, mund të mësoni se si jepet kontributi financiar. Jeni të lutur që këtë video ta shpërndani sa më shumë të jetë e mundur, në rrjete sociale, Facebook, Tuiter, Instagram e ku të mundeni. Nëse nuk keni mundësi të jepni kontributin tuaj, mund të ndikoni të përhapni zërin e atyre që sot kanë zë vetëm për të qarë. Faleminderit! /Nga ShkodraWeb/