“Rruga e Thethit nuk ka qenë e bllokuar as edhe një ditë të vetme”. Kështu ka deklaruar për mediat Shefi i Emergjencave Civile në Bashkinë e Shkodrës Nikolin Guri. Duke iu përgjigjur interesit të mediave, Guri ka thënë se nuk jemi në situatë emergjence. Aktualisht në Qafë- Thore trashësia e dëborës është 55 centimetër dhe nuk ka premisa që rruga të bllokohet as këtë vit dhe as vitin që vjen. Bashkia e Shkodrës ka kontraktuar subjekte private, të cilat janë të gatshme që me mjetet e tyre të ndërhyjnë sapo të shfaqet nevoja. Siguroj banorët e zonës por edhe amatoprët e turizmit malor, që mund të vazhdojnë gjatë gjithë vitit të udhëtojnë drejt Thethit pa probleme.
Nga ana tjetër, Guri ka paralajmëruar fillimin e rikonstruksionit të rrugës Qafë- Thore – Theth, investim i Bankës Botërore. “Me këmbënguljen e Bashkisë dhe sidomos të kryetares së Bashkisë Ademi, është miratuar investimi i plotë jo vetëm për këtë aks, por edhe rrugët e fshatit Theth. Pranverën e ardhshmne do të nis ky investim, i cili do të ketë impakt të padiskutueshëm për zonën dhe bujtinat atje”, thotë Guri.
Sipas gjasave, deklarimet e pronarëve të bujtinave për bllokim të rrugës drejt Thethit, janë edhe si një lloj reklame për të tërhequr vemendjen mediatike ndaj kësaj zone, e cila për hir të realiettit, është mjaft e frekuentuar dhe e mirëpërgatitur për pritjen kryesisht të turistëve të huaj. /ShkodraWeb/