Misionari i pajtimit të gjaqeve Emin Spahija është gjetur i vrarë pranë shtëpisë së tij në Shkodër me datë 9 gusht 2004. Trupi i tij u gjet rreth orës 5 e 30 të mëngjesit por policia tha se ai mund të ishte vrare tri-katër orë më parë.
Policia lokale tha në atë kohë se vrasja ishte kryer nga profesionistë dhe përjashtontee pistën e vrasjes për motive grabitjeje pasi, siç thoshte ajo, në vendgjarje gjeti sende me vlerë të të vrarit.
Policia deklaroi asokohe se po punonte per gjetjen e autorëve dhe motiveve të krimit duke shtuar se ata kishin lënë në vendngjarje katër gëzhoja plumbash të një arme ende të paidentifikuar.
Po sipas policisë, ata ishin larguar në drejtim ende të panjohur duke përfituar, sipas saj, nga mungesa e energjisë elektrike në atë orë të natës në qytet. Emin Spahija prej dhjetë vitesh, deri ditën që u vra, ka qenë në krye të misionarëve të pajtimit të gjaqeve në Shkodër.
Gjate kësaj kohe misioni i paqës në Shkodër ka pajtuar dhjetëra familje ndërsa ka nxjerrë nga ngujimi qindra persona. Vrasja e z. Spahija është kryer në njërën prej periudhave më të qeta të rendit dhe të sigurisë në Shkodër.
Që nga fillimi i vitit 2004 ajo ishte vrasja e katërt dhe vetëm njëra prej tyre ka patur për motiv gjakmarrjen. Ndërsa vetëm në vitin paraardhës u vranë 28 persona, shumica e të cilëve për gjakmarrje.
Që prej 1997, Shkodra vazhdon të jetë një nga qytetet e prekura më rëndë nga vrasjet. Edhe pas 14 viteve nga vrasja, zyrtarisht akoma nuk ka një autor për vrasjen e kryemisionarit të paqes Emin Spahija. /ShkodraWeb/