Pas përplasjes së policisë me mjekët e Spitalit Amerikan 2, Ervis Martinaj është larguar vullnetarisht në drejtim të spitalit të burgut. Mjekët rezistuan fillimisht duke mosfirmosur daljen e Martinajt nga ky spital, ndërsa policia kërkonte të ekzekutonte vendimin e Gjykatës së Tiranës e cila dha masën e sigurisë arrest me burg 30 ditor. Mësohet se mes mjekëve dhe policisë ka pasur debate. Policia kishte në dorë një epikrizë përcjellëse të printuar me emrat e 4 mjekëve, por që nuk kishte asnjë firmë të asnjërit nga mjekët.
Mjekët nuk plotësonin kartelën dhe fletën e daljes së pacientit Ervis Martinaj. Mosrealizimi i detyrës nga policët bëri që zv/ministri i Brendshëm, Stefan Çipa, të paralajmëronte masa disiplinore ndaj efektivëve dhe kallëzim penal. Pas insistimit të Policisë së Burgjeve, Ervis Martinaj është larguar vullnetarisht nga Spitali Amerikan 2 në drejtim të spitalit të burgut. Martinaj ka firmosur daljen vullnetarisht nga spitali dhe për rrjedhojë i është dorëzuar Policisë së Burgjeve.