Nuk ka zgjatur shumë “arratia” e të riut 24- vjeçar, autor i ngjarjes në Spitalin e Lezhës, ku mbeti i dëmtuar në fytyrë një mjek. Mësohet se pak orë pas veprimit të tij ekstrem, ai ka shkuar në komisariatin e Lezhës, ku jo vetëm është dorëzuar, por ka pranuar edhe aktin e kryer. Para uniformave blu, ai ka dhënë edhe një “arsye” për veprimin e kryer, pas të cilit mjeku Zef Doda ka përfunduar në Tiranë nën kujdesin e kolegëve.
“Debatova me te dhe e kam goditur me grushte. Nuk po me sherbente, ishte i dehur” ka thene 24-vjeçari para uniformave blu të Lezhës. Pas disa orëve nga ngjarja, ai është dorëzuar në polici pasi goditi mjekun Zef Doda. Gjatë deklarimit të dëshmisë së tij, mësohet se i riu ka thënë se e ka goditur pas një debati që ka bërë me mjekun, pasi pretendon ai, Doda nuk po shërbente.
Mjeku Zef Doda, u godit mesditën e sotme nga i riu, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, brenda ambienteve të spitalit të Lezhës. Burime pranë QSUT bënë të ditur se pas përfundimit të ekzaminimit të gjendjes së mjekut Doda, është arritur në konkluzionin se ai ka thyerje të kockave të fytyrës.
Ai do t’i nënshtrohet terapisë për këto dëmtime që ka marrë në fytyrë, ndërsa do të vlerësohet në vijim nëse do të jetë nevoja që ai ti nënshtrohet operacionit ose jo.