Pas një incidenti të ndodhur paraditen e sotme në Kampin Verot të ngritur në shkollën “Ali Laçej” nga Bashkia e Shkodrës, në mes një punonjësi social dhe një gazetareje, ka ardhur edhe reagimi zyrtar nga Bashkia e Shkodrës. Në një postim në faqen e saj në Facebook, Bashkia e Shkodrës sqaron:
“Bashkia Shkodër ka ndjekur me vemëndjen e duhur incidentin e ndodhur sot në mjediset e shkollës 9 vjecare “Ali Lacej” mes punonjësit social të Shërbimit Social dhe grupit të xhirimit të TV1 Channel.
Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Znj.Voltana Ademi ka kontaktuar personalisht me gazetaren Linda Doda Kavaja, duke u njohur me situatën dhe nga ana tjetër Bashkia Shkodër ka marrë masat disiplinore ndaj punonjësit të Shërbimit Social, i cili ka thyer kodin e etikës gjatë kominikimit me gazetaren.
Në të njëjtën kohë, ftojmë median e cila ka qënë përherë bashkëpunuese, duke kërkuar mirëkuptimin e tyre, pasi besojmë se janë të informuar edhe sa i takon Kodit Etik, i përcaktuar nga Autoriteti i Mediave Audiovizuale (AMA) se: “Duhet treguar kujdes në pamjet apo imazhet e fëmijëve të cilët janë pjesë e target grupeve vulnerabël, përfshirë këtu fëmijët rom dhe egjiptian, dhe për filimimin e tyre duhet miratimi i palëve, prindërve kujdestarit ligjor apo institucionit që i ka në përgjegjësi”.
Bashkia Shkodër ka përgjegjësinë të respektojë Kodin e Etikës institucional ashtu siç respekton çdo gazetar që i shërben interesit publik në qytetin e Shkodrës.”, përfundon postimi i Bashkisë së Shkodrër në Facebook.
Më herët, TV1 Channel kishte transmetuar një kronikë televizive, lidhur me këtë incident, të shoqëruar me video por edhe me komente mbi atë që kishte ndodhur. Më poshtë, kronika e TV1 Channel.