Studentët sot sapo kanë nisur ditën e 11-të të protestës para Kryeministrisë, duke nënvizuar se nuk tërhiqen nga kërkesat e bëra tashmë publike, për të cilat kërkojnë vetëm plotësim nga ana e Kryeministrit dhe jo dialog mes paleve.
Rreth orës 11:00 një grup qytetaresh i është bashkuar protestës së studentëve. Ditën e sotme pritet të marrin pjesë edhe familjarët e studentëve, që janë solidarizuar me kauzën e të rinjve.
“Qytetarë, të rinj çohuni nga kafja, ejani në shesh të protestoni bashkë me ne. Të tregojmë që jemi të bashkuar. Kjo kauzë është për të gjithë”, lëshoi thirrje një prej të rinjve në protestë.
Gjatë ditës së sotme është theksuar se protesta e studentëve do të jetë mbarëkombëtare dhe ata kanë bërë thirrje që natën e kaluar për pjesëmarrje masive.