Federata Shqiptare e Futbollit përmes një postimi në faqen zyrtare të saj në “Facebook”, ka bërë të ditur fazën në të cilën gjendet projekti i stadiumit “Arena Kombëtare”.
Impianti me kapacitet prej 22 mijë vendesh duket se ka marrë formë dhe mendohet të përfundojë plotësisht gjatë tremujorit të parë të vitit të ardhshëm.
“Arena Kombëtare” po ndërtohet sipas projektit të prezantuar nga grupi italian Serenissima Costruzioni S.p.A.
Tribunat e stadiumit parashikohet që të jenë të gjitha të mbuluara. Kompleksi i ri, me një sipërfaqe prej 43.000 metrash katror (nga të cilët 25.000 metra katror do të shërbejnë për stadiumin, 10.000 metra katror për zyrat dhe 8.000 metra katror për dyqane), është konceptuar si një strukturë e përbërë.