DOKUMENTI/ Viti 1984, Enver Hoxha: Dola xhiro në Tiranë, pisllëku dhe balta ishin në nivele të larta…

Mbledhja e Sekretariatit, e datës datë 9.4.1984, nxjerr një problem të madh të Tiranës, papastërtinë. Në filozofinë e punës së të majtëve është shkatërrimi i shtetit, propaganda dhe fasada, asnjëherë organizimi dhe brendia. Pavarësisht se popullsia e kryeqytetit nuk ka qenë e madhe, pisllëku dhe balta ishin në nivele të larta. Këtë e vëren udhëheqësi dhe e pranon zëvendësudhëheqësi.

Pjesë nga debati

Shoku Enver Hoxha: Dje dola nëpër rrugët e Tiranës me automobil, por krijova një përshtypje jo të mirë për pastërtinë e kryeqytetit. Shumë pis janë ambientet, shumë të ngarkuara me baltëra janë sheshet e ndërtimit. Nuk e kuptoj çfarë bën komunalja vallë? Ne krijuam një ministri të tërë, po interesohet ajo për pastërtinë e qyteteve. Mua më duket se nuk interesohet. Sidomos andej lart, ku po ngrihen një varg apartamentesh, është një papastërti, rrëmujë e madhe.

***

Shoku Enver Hoxha: Nëpër lagje është më keq akoma. Pra me higjienën e pastërtisë Tirana nuk është në rregull. Vërtet duhet menduar për të ndërtuar, por duhet menduar edhe për të mbajtur pastërti. Caktohen të bëhen punime, bëhen ndërtime e meremetime objektesh nga komunalja dhe vëmendja përqendrohet vetëm në anën kryesore, për fillimin e ndërtimit të objektit, po nuk mendohet shumë ku do të mbarojë dhe në ç’gjendje do të jetë territori pas përfundimit të ndërtimit, etj.

Shoku RamizAlia: Zakonisht shikohet të jetë në rregull fasada, kurse për anët e prapme të pallateve nuk tregohet fare kujdes, rrugët e mjediset nga ajo anë mbeten gjithë baltë. /Nga Kastriot DERVISHI/