ShkodraWeb Media

E Vërteta të bën të lirë!

DOKUMENTI SEKRET/ Ramiz Alia pas gjendjes së rëndë të Enverit: Ta ndalojmë sëmundjen, tëmos ndryshojmë humorin se….

Plot 34 vjet më parë, në mesnatën e 11 prillit të vitit 1985, pas dy ditësh në koma, pushoi zemra e udhëheqësit komunist të Shqipërisë, Enver Hoxhës, njeriut që e kishte qeverisur me dorë të hekurt vendin e tij që nga nëntori i vitit 1944 kur ai erdhi në pushtet. Zhdukja e tij erdhi edhe si pasojë e një sëmundje (diabeti), që atij i ishte shfaqur që në vitet e para të pasluftës, e cila u bë shkak edhe për një infarkt akut që ai pësoi në vitin 1973, i cili për pak i mori jetën, por që në fillimet e viteve ’80-të, iu acarua së tepërmi duke i dhënë edhe mjaft komplikacione, gjë e cila si rezultat solli dhe fundin e jetës së tij në mesnatën e 11 prillit 1985.

Loading...

Por keqësimi i shendetit të Enver Hoxhës filloi që nga fillimi i vitit 1984 gjë e cila shkaktoi një alarm të vërtetë tek “shokët e udhëheqjes” duke bërë që Ramiz Alia të mblidhte disa herë “shokët e Byrosë Politike” për t’i informuar për situatën e rëndë shëndetësore që po kalonte Komandanti. Veç të tjerash kjo gjë bëhet e ditur edhe nga disa dokumente me siglën “tepër sekret e një rëndësie të veçantë” (të nxjerra nga Arkiviu i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së, Fondi 14, Ap. O.U) që po i publikojmë ekskluzivisht për gazetën TemA, siç janë dhe këto process-verbale të datës 17 shkurt dhe 11 nëntor të vitit 1984, të cilat po e publikojmë të plota dhe me faksimilet përkatëse.

MBLEDHJA E PARE

“Tepër sekret, i rëndësisë së veçantë”

Proces-verbal i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, i datës 17 shkurt 1984.

Kjo mbledhje u thirr sot rreth orës 13 e 30 nga shoku Ramiz Alia me anëtarët dhe kandidatët e Byrosë Politike që ndodhen në Tiranë, për t’i vënë në dijeni mbi një fenomen shqetësues shëndetësor, që i ndodhi dje shokut Enver rreth orës 17 pasdite.

Shoku Ramiz: Ju thirra një çikë, shokë, për t’ju informuar mbi gjendjen shëndetësore të shokut Enver. Gjendjen e përgjithshme të shëndetit të tij, ju e dini, por dje rreth orës 17-17 e 30 ai pati një fenomen të papëlqyeshëm, një iskemi të lehtë në formë spazme, e cila i shkaktoi njëfarë vështirësie në dorën e krahun e djathtë dhe në këmbën e majtë. U thirrën menjëherë mjekët, me të cilët u takova edhe vetë. Në përgjithësi, pas ndërhyrjes së tyre, gjendja u stabilizua dhe u përmirësua disi që mbrëmë.

Unë shkova edhe tani për ta parë, pas mbledhjes së Sekretariatit që bëmë sot. Sa hyra brenda, shoku Enver më pa dhe më pyeti nëse e bëmë mbledhjen. Pa hyrë në detaje, iu përgjigja që e bëmë dhe shkoi shumë mirë. Kaq i thashë dhe i bëra të fala nga të gjithë ju, nuk u zgjata më tepër. Ashtu siç paraqitet sot, gjendja e shokut Enver është disi e mirë, një përmirësim pas ja deri këtu, se këto lloj fenomenesh, siç janë spazmat apo iskemitë, ndodh që të përsëriten. Prandaj tani të tëra përpjekjet, si të thuash për këtë po bëhen për të dominuar situatën, të shmangen përsëritjet.

Ramiz Alia: “Ali Alushani së bashku me mjekët po vëzhgojnë nga afër situatën”. Për këtë qëllim u krijua menjëherë një grup mjekësh specialistë të fushave të ndryshme me të tëra mjetet e duhura në dispozicion, në krye të të cilëve është vetë ministri i Shëndetësisë, Ali Alushani. Ky shkoi që në fillim në vend dhe vazhdon të qëndrojë atje tok me gjithë mjekët e tjerë, që po i bëjnë shokut Enver të gjitha shërbimet e nevojshme. Gjendja shëndetësore e shokut Enver, siç shihet ka tendencë dhe po ecën drejt përmirësimit. Tani e tërë lufta, të gjitha përpjekjet e terapitë po bëhen së pari, që të dominohet situata, siç thashë të mos ketë përsëritje të këtyre fenomeneve shqetësuese. Synimi i dytë është që mundësisht të shmangen konseguencat që mund të shkaktojë sëmundja në zemër e të mos i rëndohet zemra. Probleme në zemër shoku Enver nuk ka.

Përpara disa vjetësh, siç e dimë, ka pasur ndonjë episod të vogël dhe ai ka qenë ankuar, po në përgjithësi edhe zemra e tij tani është në gjendje të mirë. Sidoqoftë, rreziku shqetësues se vetë dobësimi i organizmit mund të shkaktojë konseguenca në këtë organ. Me pak fjalë, kjo është gjendja shëndetësore e shokut Enver që nga dje pasdite që iu shfaqën fenomenet shqetësuese. Më tepër nuk di gjë t’ju them. Ne do ta ndjekim gjendjen e tij dhe me përpjekjet që po bëhen, do të shikojmë çfarë ka konkretisht, mbasi çfarë është ky fenomen me saktësi, akoma nuk del qartë nëse jemi përpara iskemie, një spazme të thjesht apo ka diçka tjetër.

Pikërisht këtë janë duke e shikuar mjekët. Ata po kujdesen dhe do t’ia bëjnë të gjitha shërbimet si duhet. Përpara një gjendjeje të tillë, të them të drejtën e gjykova të domosdoshme t’ju njoftoja ju shokë se nuk mund ta mbaja dot vetëm përsipër këtë shqetësim të madh. Dëshiroj gjithashtu t’ju theksoj se këtë ngjarje tani për tani e dimë vetëm ne që jemi këtu, asnjë njeri tjetër, prandaj askush nuk duhet të marrë vesh mbi këtë çështje. Me njëritjetrin ne edhe mund të bisedojmë, çështja është të mos na bëhet zakon dhe të bëjmë biseda ku të mundim, sidomos në vende ku mund të jenë edhe të tjerë veç nesh.

Shoku Besnik Bekteshi: Po ja për shembull, kur të marrim njërit-jetrin në telefon, nuk ka pse të pyesim si jeni, të mos bëjmë hiç fare të tilla pyetje. Kur të takohemi dhe të jemi vetëm, është tjetër çështje.

Shoku Hekuran Isai: Kryesorja është tani ndalimi i procesit të sëmundjes.

Shoku Ramiz Alia: Kjo ka rëndësi. Ja, tani që isha atje dhe u takova me shokun Enver, si e pashë gjendjen e tij që është më e mirë, u ula pak në kolltukun e tij, megjithëse nuk qëndrova gjatë, e informova pak për mbledhjen.

Shoku Manush Myftiu: Raste me fenomene të tilla nuk ka pak edhe në vendin tonë, po kur kapen në kohë dhe kurohen, nuk lënë asnjë shenjë.

Shoqja Lenka Çuko: Bile nuk lënë shenja as në moshat e mëdha.

Shoku Hekuran Isai: Ka raste që disa njerëzve u bie edhe dy-tri herë me radhë dhe e kapërcejnë krizën.

Shoku Manush Myftiu: Ja, kam vëllanë tim që i kanë rënë dhe megjithëse është 58 vjeç, është normalizuar. Kalojnë të tilla fenomene, po të trajtohen me kujdes.

Adil Çarçani: Kam besimin e plotë që kjo gjendje Enverit do t’i kalojë.

Shoku Adil Çarçani: Kalojnë, kalojnë. Edhe shokut Enver me siguri do t’i kalojë.

Shoku Ramiz Alia: Siç thashë shokë, ne do t’i qëndrojmë mbi kokë. Ekipi i mjekëve që është atje, do t’ia bëjë të gjitha shërbimet. Unë ju njoftova vetëm sa për ta ditur këtë gjendje. Nga mjekët tanë më të mirë vetëm Petrit Gaçe nuk është tani për tani, se ndodhet jashtë shtetit, por edhe ky sonte ose nesër do të kthehet, megjithëse në gjendjen e tanishme nuk ka ndonjë punë për të.

Shoqja Lenka Çuko: Sidoqoftë, ai duhet të kthehet shpejt dhe të jetë këtu, se është specialisti më i mirë që kemi për këto lloj sëmundjesh.

Shoku Ramiz Alia: Pra, deri tani kështu është gjendja. Po të ketë ndonjë gjë tjetër, do t’ju mbaj në korrent kur duhet dhe aq sa duhet. Me këtë rast mendoj se nuk ka nevojë të marrim ndonjë vendim. Grupi i mjekëve është krijuar nga specialistët tanë më të mirë. Dje thirrëm edhe Bajram Prezën, specialist neurolog, që edhe ky të diskutojë bashkë me të tjerët mbi këtë çështje. Shoku

Adil Çarçani: Ne mund të sjellim menjëherë nga jashtë çdo lloj preparati të nevojshëm që mund t’u duhet mjekëve.

Shoku Ramiz Alia: Po të ketë nevoja, jo vetëm preparatin, por çdo gjë tjetër të domosdoshme që mund të nevojitet e sjellim nga jashtë për këtë rast.

Shoku Adil Çarçani: Mund të lindë nevoja edhe për ndonjë specialist.

Shoku Ramiz Alia: Edhe këtë çështje do ta shikojmë, por natyrisht një gjë e tillë ka edhe anën tjetër që duhet parë.

Shoku Besnik Bekteshi: Kjo është ana tjetër e medaljes. Duhet vigjilencë.

Shoku Ramiz Alia: Ju të jeni të bindur shokë, se ne do të marrim të gjitha masat çfarë duhet e si duhet, por theksoj edhe një herë, ta mbajmë parasysh se problemi është shumë serioz se pa qenë gjë kanë dalë llafe, jo më ta marrin vesh njerëzit tanë ç’ka ngjarë.

Pse e them këtë? Sepse dalin llafe. E ç’tju them unë? Ja ta filloj nga vetja. Mbase shokët që ishin me mua në mbledhjen e KQ sot nuk e vunë re se nuk po e mbaja dot veten. Si pa dashur atje flisja me një ton pak të irrituar dhe nuk isha në humor. Nuk i shpreha me tonin e zakonshëm. Mirëpo ai tjetri të psikologjis.

Shoku Simon Stefani: Ashtu është shoku Ramiz, prandaj duhet të përpiqemi të kemi kujdes edhe humorin në këtë rast, të mos e ndryshojmë nga i zakonshmi.

Shoku Hekuran Isai: Duhet të jemi shumë të kujdesshëm në qëndrimet tona.

Shoku Simon Stefani: Se na e njohin natyrën njerëzit tanë.

Shoqja Lenka Çuko: Të gjithë ne që ishim në mbledhjen e KQ-së u munduam të mos e japim veten.

Shoku Ramiz Alia: Ja mbrëmë, kur u ktheva në shtëpi duke më parë pa humor, vajza më pyeti “Ç’ka babi”? Kisha një punë me shokun Enver – iu përgjigja unë – dhe kështu e mbylla këtë muhabet. Të shikojnë njerëzit kur nuk je në humorin e zakonshëm.

Shoku Besnik Bekteshi: Ata të pyetën se nuk të panë në humorin e zakonshëm.

Shoku Ramiz Alia: Prandaj ta kemi parasysh edhe këtë anë, se problemi është tepër serioz dhe po të hapen fjalë, mund t’i shkaktohen telashe Partisë. Fjalë janë hapur edhe herë të tjera, po për t’ua mbyllur gojën njerëzve, u thoshin shokut Enver të dilte në ndonjë mbledhje publike që ta merrte televizori, kështu njerëzit qetësoheshin.

Shoku Adil Çarçani: Na ka dalë disa herë përpara kjo çështje.

Shoku Ramiz Alia: Këto kisha për t’ju thënë shokë, ç’tju them tjetër?

Shoku Adil Çarçani: Dëshira jonë e madhe është që shoku Enver ta kalojë sa më shpejt këtë gjendje.

Ramiz Alia: Nexhmija më tregoi se Enveri nuk lëvizte dot as krahun dhe as këmbën.

Shoku Ramiz Alia: Do ta kalojë, unë kam bindjen se do ta kalojë. Ja po ju tregoj se në krahasim me dje pasdite, gjendja e tij sot ka shumë ndryshime për mirë. E dyta, nga ç’më thanë mjekët në fillim të them të drejtën, kisha krijuar një vizion tjetër, pak si pesimist se gjendja e shokut Enver mu duk më e rëndë. Edhe Nexhmija sa më mori dje në telefon që të shkoja shpejt dhe ika menjëherë atje, megjithëse shokun Enver nuk e pashë, se nuk hyra në dhomë. Në atë kohë, ajo më tregoi se ai nuk lëvizte dot as dorën, as krahun, dhe as këmbën e djathtë. Mirëpo pas dy orësh gjendja filloi të ndryshonte pozitivisht. Kurse sot kur e pashë vetë me sy, nuk mu duk shqetësuese gjendja, përkundrazi mu duk e mirë. Kuptohet vetvetiu që edhe shoku Enver pacient është, këto lloj sëmundjesh kështu janë, po fakt është që sot sa më pa, më pyeti për mbledhjen dhe siç ju thashë, i tregova.

Shoku Adil Çarçani: Rëndësi ka çështja që ka filluar kthesa për mbarë.

Shoku Ramiz Alia: Kështu është, kthesa ka filluar nga e mira.

Shoku Adil Çarçani: Mjekët e dominuan menjëherë situatën dhe kjo ka shumë rëndësi.

Shoku Ramiz Alia: E dominuan se edhe masat u morën shpejt.

Shoku Besnik Bekteshi: Shpejtësia në këto raste ka rëndësi të madhe në marrjen e masave.

Shoqja Lenka Çuko: Tani duhen porositur mjekët që po punojnë atje për këto që thamë, se ata e të tjerë hyjnë e dalin atje dhe hapet fjala.

Shoku Ramiz Alia: Për të tërë kemi marrë masa ne atje, edhe për mjekët, edhe për personelin e shërbimit. Sidoqoftë, duhet të kemi shumë kujdes në këtë çështje. Mirë shokë, me kaq mbaruam.

Tiranë, më 18.2.1984. /Nga Dashnor KALOÇI, TemA/

Loading...
Copyright ShkodraWeb Media © 2019 All rights reserved. | Politika e Privatësisë nga ShkodraWeb Media.