“Ti nuk je rrugaç, por sjellja jote është rrugaçëri”. Mesazhin e përcolli sot Edi Rama, një 55- vjeçar në detyrën e kryeministrit të vendit. Përballë kishte një student, një 20- vjeçar, i ngarkuar prej ditësh me mllef pasi kryeministri i vendit të tij nuk po i plotëson 8 kërkesa, që vetë shefi i qeverisë i konsideron publikisht të drejta.
“Mashtruesi më i madh në këtë vend”, ishte shprehja që prishi qetësinë (në dukje) olimpike të kryeministrit, i cili në fakt sot nuk ka qenë asnjë minutë i qetë. Duke hequr maskën e njeriut të mirë me shprehjen e stampuar në buzë “kur do të takohemi”, Rama harroi djalin e tij biologjik dhe vajzën e adoptuar në martesën me Lindën. Harroi se i biri apo edhe vajza e adoptuar, të paktën njëherë i kanë thënë ndonjë fjalë edhe më të rëndë se “mashtrues”. Me këtë epitet, veshët e Ramës dhe çdo politikani shqiptar, janë mësuar prej 28 vitesh, por pse i bën përshtypje kur e dëgjon nga një 20- vjeçar?
Sepse fjala e dalë nga goja e një 20- vjeçari, qoftë ai edhe ithtar i “partisë së Koços” siç e paraqesin disa media pranë qeverisë djaloshin, godet më fort se 2 orë në foltore të Bashës, Berishës…madje edhe të gjithë opozitarëve bashkë. Aq më shumë, në një sallë të mbushur me 20- vjeçarë, një pjesë e të cilëve mbase e kanë parë si “idhull” kryeministrin, ndoshta edhe shembull për tu ndjekur…
Por nuk ishte vetëm ky rast që Rama doli nga vetja, më saktë imazhi që ka përgatitur me kujdes, falë edhe këshillave të Fugës së tij. Një 20- vjeçari tjetër, kryeministri i përmendi celularin e shtrenjtë që mbante në duar. Ndërsa ai iu përgjigj se “e kam fituar në konkurs”, pyetja “po për vilën në Surrel ç’thua, meqë ke deklaruar vetëm 2 mijë euro në bankë”. Rama u kap sërish i përgatitur. Kujtoi se ndodhej në sallën e Kuvendit dhe ka përballë…Bashën. Mendoi se e trembi Bashën…20- vjeçarin vlonjat duke i përmendur Berishën si autor të deklaratës. E në fakt, edhe sot po të kontrollosh në internet, gjen deklarimin e pasurisë së Ramës kur ishte kryetar bashkie 3 mijë euro dhe…i pastrehë.
Oratoria dhe aftësitë komunikative nuk e ndihmuan sot Ramën. Mbase e ka patur të lehtë në foltoren e Kuvendit apo edhe në takimet për shprëndarjen e tapive, por me studentët ndryshon puna. Sot besoj se Rama ka falenderuar Zotin që studentët nuk pranuan dialog ballë për ballë me të. Dhe për të parandaluar çdo ndryshim mendje të studentëve, për të penguar përballjen me ta, kryeministri publikoi “Paktin për universitetin”, duke rreshtuar 8 pikat e studentëve dhe afatet e plotësimit të tyre nga grupet e punës së ngritura nga ai.
Sot Rama humbi një betejë në terrenin e tij të preferuar, atë të komunikimit publik. Madje përballë disa 20- vjeçarëve “mustaqe pa dirsur”. Një mosim që i vlen edhe si ish- dhjetorist 90, siç ka dëshirë të identifikohet. Sepse Edi Rama i 1990-ës ka ndryshim shumë të madh nga 20- vjeçari që pati përballë në Vlorë. Nga dhjetori në dhjetor, Shqipëria duket se ka ecur. Pak, por ka ecur… /Shënim i ShkodraWeb/