Një numër i madh pacientësh janë paraqitur ditën e djeshme në spitalin e Bulqizës me simptoma helmimi. Mjeku Shahin Kaja, i cili ishte mjek roje gjatë të shtunës i tha BIRN se rreth 16 nga të sëmurët vinin nga “Qyteti i Vjetër”, ndërsa 4 nga pjesa tjetër e qytetit. Ai tha se nisur nga shpërndarja gjeografike e personave me simptoma helmimi, dyshimet kryesore binin mbi ujin e pijshëm.
Kaja u shpreh:
“Nisur nga ky fakt dhe duke qenë se nuk ka pasur ndonjë dasmë apo ndonjë festë, dyshojmë që helmimi mund të vijë nga uji i pijshëm”.
Megjithatë ai tha se sindromat e helmimit ishin të lehta dhe jo problematike. Edhe banorët e helmuar dyshojnë te uji. Nga ana e tyre drejtuesi i Ndërmarrjes së Ujësjellësit dhe ai i Drejtorisë së Shëndetit Publik, mohuan se problemi mund të vinte nga uji. Flamur Meta, drejtor i Shëndetit Publik në Bulqizë tha se shqetësimet mund të vinin nga virozat e stinës.
Drejtori i spitalit Haziz Jella ka folur për News 24:
“78 persona janë shtruar me simptoma helmimi. Shkalla e helmimit nga e lehtë deri tek mesatare, s’mund të flas për shkakun priten analizat. Pacientët kryesisht nga lagjia e vjetër e qytetit. Nag pacientët që janë paraqitur për ndihmë 24 janë fëmijë.”