Zyrtarizohet rezultati i zgjedhjeve parlamentare në Serbi, ja sa vende fitoi koalicioni i partive shqiptare atje…

Komisioni Zgjedhor i Serbisë miratoi mbrëmjen e kaluar raportin për rezultatet e përgjithshme të zgjedhjeve për deputetë, sipas të cilit shtatë lista zgjedhore hynë në parlament.

Pjesëmarrja në votime ishte 48.93 për qind dhe më shumë vota fitoi lista elektorale “Aleksandar Vuçiç – Për fëmijët tanë” 60.65 për qind ose 188 mandate, pasuar nga lista zgjedhore “Ivica Daçiç – Partia Socialiste e Serbisë (SPS), Serbia e Bashkuar (JS) – Dragan Markoviç Palma” me 10.38 për qind ose 32 ulëse.


Lista zgjedhore “Aleksandar Shapiç – Fitorja për Serbinë” fitoi 3.83 për qind ose 11 ulëse, lista “Aleanca e Hungarezëve Vojvodina – Istvan Pastor” fitoi 2.23 për qind ose 9 ulëse.

“Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar”, fitoi 26.437 vota ose 0.82 për qind, duke marrë tri mandate.

“SDA Sanxhak – Dr. Sulejman Uglanin” gjithashtu hyri në parlament me 24.676 vota ose 0.77 për qind duke marrë tri ulëse.

Lista “Akademik Muamer Zukorliç – Partia e Drejtësisë dhe Pajtimit (PSP) – Partia Demokratike e Maqedonasve” fitoi një për qind ose katër mandate.

Të drejtë vote në zgjedhjet e mbajtura më 21 qershor dhe 1 korrik, patën mbi 6,5 milionë qytetarë.

 ABCOM ║ VODAFONE