
Jam zyrtarisht kandidat për drejtor i përgjithshëm i RTSH-së! Historia e këtyre muajve të garës për kreun e RTSH-së është një thriller i vërtetë me përplasje, votime, ballafaqime, ndërhyrje pa fund, intriga,lobingje dhe interesa politike e jashtë politike, Komisioni i Medias, shkrirja e Këshillit Drejtues, zgjedhja e Këshillit të ri… Gara ndaloi pikërisht në momentin kur unë u kualifikova ndër dy kandidaturat që do shkonin në Këshill për dëgjesën.
RTSH-ja ka gati 8 muaj pa titullar, si një tren i ndalur në stacion në pritje të urdhërit të lëvizjes. Unë kësaj gare i kam hyrë, sepse për mua ky institucion është pasion, është emocion, është mision, është ambicje, është sfidë, është familje.
Nga konkurrentët e janarit isha i vetmi që plotësoja kushtin e nenit 10, pika ç të statutit të RTSH-së (për mbi 5 vjet pozicione menaxhimi në media, teknologji komunikimi dhe digjitale, shkenca komunikimi).
Une besoj se kam projektin më të mirë për të drejtuar RTSH-në!
E njoh atë institucion nga brenda, njoh përpjekjet e dhjetra apo qindra profesionistëve nga dita në ditë, njoh të sotmen dhe të kaluarën e tij, kam parë përparime dhe stopime në rrugën drejt qëllimit.
Lufta ime është për ta kthyer televizionin publik shqiptar (RTSH) në median e dashur të shqiptarëve. Paula Kreger, presidentja dhe CEO e PBS, televizionit publik të SHBA, thotë se “Televizioni publik vazhdon të shërbejë si një fener i medias dhe nxitëse për miliona amerikanë.” .
Dhe pse të mos jetë RTSH-ja një fener i medias dhe një nxitëse për publikun shqiptar?
Sot po i sillen re të zeza mbi krye RTSH-së dhe ne duhet ta ndalim shtërngatën, të projektojmë ringritjen. Uroj që gara të jetë e ndershme dhe të respektohen rregullat e vendosura në ligj dhe në statutin e RTSH-së. /Nga Jetmir SHPUZA, publikuar në Facebook/