Thomas Brdariç dhe Vllaznia do të vazhdojnë bashkëpunimin edhe për një vit. Kjo është zyrtare dhe e ka konfirmuar sponsori i Vllaznisë Alban Xhaferi. I ftuar në emisionin “Sport Show” në TV1 Channel, Xhaferi ka folur për firmosje kontrate paraditen e nesërme, të ditës së martë.
Ai ka thënë se me Brdariç është rënë dakort për të firmosur një kontratë 1 vjeçare, ashtu siç ka qenë edhe paraardhësja. Xhaferi nuk ka preferuar të flasë për çeshtjen e pagës, duke qenë diçka private në mes klubit dhe trajnerit. Ai ka dhënë garanci se në shtator, me mbështetjen e Bashkisë dhe të FSHF- së, do të ketë ndërhyrje për përmirësimin e kushteve të stervitjes, me një terren të përshtatshëm.
Po ashtu, ai ka sqaruar përzgjedhjen e futbollistëve në merkato. Është një grup ai që e bën atë, por vendimin përfundimtar e merr trajneri i parë, pikërisht Brdariç. Pa dhënë detaje, sponsori i Vllaznisë ka pohuar se Brdariç ka patur oferta, por ai e ka deklaruar se trajneri gjermano- kroat ka patur të parin ekipin kuqeblu.
Janë 8 lojtarë me të cilët po negociohet për kontratat e tjera, ndërsa për të tjerët është vendosur të vazhdohet me kontratat ekzistuese, sa i takon pagave. Ditë pas dite, do të ketë komunikime zyrtare me mediat e publikun lidhur me zhvillimet tek klubi shkodran. Xhaferi ka folur edhe për 3-4 afrime cilësore, teksa ka folur edhe për promovim të të rinjve që vijnë nga Akademia “Vllaznia”. /ShkodraWeb/