Zoti Basha, a ke ti nje atdhe apo vec nje karrike per te mbrojtur mor burri i dheut

Nga Elisa Spiropali
Më tërhoqi vëmendjen ky lajm për të cilin kam një koment, po më parë lexojeni pak ju lutem:
“Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti në një takim një ekip të Fondacionit Eduardo Frei të partisë Kristian Demokrate Holandeze CDA, parti kjo e cila është nismëtarja për rikthimin e regjimit të vizave për shqiptarët, në debatin e nisur pak muaj më parë. Siç njofton zyra e shtypit e Partisë Demokratike, kreu demokrat Basha shprehu shqetësimin e rritjes dhe fuqizimit të krimit të organizuar dhe trafikut të drogës në Shqipëri dhe nga Shqipëria drejt vendeve të BE, përfshirë Holandën. “Në këto katër vite, siç konfirmojnë raportet e EUROPOL dhe Departamentit Amerikan të Shtetit, Shqipëria është kthyer në një bazë të veprimtarisë së grupeve të organizuara kriminale”, thuhet në njoftimin e PD-së. Kryetari i opozitës, edhe njëherë vuri në dukje se bashkëpunimi i drejtpërdrejtë dhe i hapur i politikës me krimin ka goditur rëndë standardet e sigurisë dhe demokracisë, e në veçanti votën e lirë, siç ndodhi në zgjedhjet e 25 qershorit përmes presionit dhe blerjes së votës me paratë e drogës. “Kapja e shtetit nga krimi i organizuar dhe bashkëqeverisja me krimin kanë kontribuar në precipitimin e një krize të rëndë në vend, çka ka rritur në rekorde historike fluksin e shqiptarëve që braktisin vendin dhe kërkojnë azil në vendet e BE-së e në Holandë, për shkak se kanë humbur besimin në të ardhmen e vendit nën qeverisjen e sotme”, mësohet të jetë shprehur Basha. Por, edhe pse një takim me zyrtarët e CDA, parti që jo vetëm kërkon rikthimin e regjimit të vizave për shqiptarët, por njihet edhe për qëndrimin e saj jo miqësor me vendin tonë, në njoftimin për shtyp të shpërndarë nga selia blu, nuk përmendet që Lulzim Basha të ketë kërkuar informacion mbi nismën e tyre për rikthimin e vizave për shqiptarët, apo t’i ketë kundërshtuar ata”.
Po si ka mundësi të flitet kështu me të huajt për atdheun tënd?! Po si mund të shpifet në këtë farë feje për vendin tënd, duke ushqyer forca e individë të huaj që i kanë emigrantët si mish për topin e politikës së tyre?! Po si është e mundur të derdhet mbi fytyrën e popullit tënd tërë ky zift pezmi për disfatën e radhës në zgjedhje?!