“Zonja e këngës popullore qytetare shkodrane”, Mukades Çanga feston ditëlindjen, u ngjit në skenë që 9 vjeç…

Sot “Zonja e këngës popullore qytetare shkodrane” Mukades Çanga “Mjeshtre e Madhe” ka datlindjen.


Mukades Çanga, e njohur në Shkodër me emrin përkëdhelës “Desi”, u ngjit në skenë si një drandofile e vogël, për ta kthyer atë në një bahçe me lule shumëngjyrshe të mbushur me këngën e pavdékshmè popullore shkodrane.

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, kur një vajzë e vogël çapkëne shpalosi talentin e saj në moshën 9- vjeçare në aktivitetet që organizonte Shtëpia e Pionierit në atë kohë. Ky zë i bukur fëminor premtonte për një këngëtare të ardhshme, e cila jo shumë vonë hodhi dhe hapat e parë në skenat rinore të qytetit.

Interpretimi i këngës së parë “Mori drandofilja e vogël”, nën drejtimin e violinistit, mjeshtrit Mark Kaftalli, befasoi specialistët dhe muzikantët e asaj kohe, të cilët e afruan si shumë talente të rinj për ta radhitur këtë këngëtare në plejadën e interpretuesve të këngës popullore qytetare shkodrane.

Dhe kështu ndodhi. Desi u rrit me këtë këngë. Zëri i saj tingëllues, me një timbër të pastër, me një aftësi të madhe komunikative me publikun, shpejt çoj peshë dashamirët e “Ahengut shkodran”. Ishte akoma e re në karrierën e saj artistike dhe me që në këtë kohë në Tiranë ekzistonin kurse për kualifikimin e talenteve të reja, Mukadesi pati fatin e madh të mbarojë këtë kurs, por pati fatin më të madh që të ishte nxënëse e mjeshtrave të mëdhenj të këngës popullore si: Ramadan Sokoli, Abdulla Grimci, Luçije Miloti, Ibrahim Tukiqi, Naile Hoxha, Xhevdet Hafizi, etj.

Mbështet ShkodraWeb Media

Shkëlqimi i talentit të saj ishte një premisë që ajo të thirrej pa ngurrim në skenën e Teatrit “Migjeni” si këngëtare e estradës profesioniste, duke u radhitur për krah kollosëve të jareve shkodrane, mjeshtrave Bik Ndoja dhe Shyqyri Alushi dhe që nga ajo ditë nuk është shkëputur nga skena. Ajo është trashëgimtarja e denjë e brezit të këngëtarëve të mëdhenj shkodranë, është një nga zërat që ka dhënë kontribut të shquar për ta ruajtur traditën e muzikës popullore shkodrane. Mund t’ju duket e pabesueshme por ka realizuar me mijëra shfaqje dhe spektakle në të gjitha skenat e vendit dhe në skenat jashtë vendit. Ka më shumë se 600 këngë dhe shumë çmime.

Ka marrë pjesë në të gjitha festivalet folklorike të këngës popullore qytetare të organizuara në Shqipëri që në fillimet e karrierës së saj.

Pjesëmarrëse në spektaklin “12 në Hollywood”, i zhvilluar në Tiranë në vitin 1994. Në festivalin Folk Izmir, Turqi, viti 1996. Në Maratona e Këngës Popullore, në festivalin “Kënga ime” organizuar nga TV Klan në vitin 2014 etj.

Mukades Çanga, është këngëtarja që ka dhënë kontribut shumë të madh në interpretimin e këngës qytetare shkodrane si brenda edhe jashtë shtetit, duke u bërë kështu edhe një përçuese e denjë e vlerave artistike që ka ajo brenda melosit të saj të pastër shqiptar. Ajo me zërin e saj përçoi artin e këngës së gjallë shkodrane dhe ka merita të papërsëritshme artistike.

Në vitet e para të demokracisë për herë të parë realizon një turne në SHBA, ku jep koncerte për Diasporën Shqiptare, në New York, New Jersey, Detroid dhe Boston, ku u pritë me shumë entuziazëm. Në New York, realizoi albumin e parë prej 18 këngësh, prej të cilave 10 këngë ishin këngë popullore shkodrane dhe 8 ishin këngë kosovare të orkestruara nga mjeshtri Shpëtim Saraçi. Ky album doli në qarkullim në vitin 1992. Albumi i dytë u realizua në qershorin e vitit 1998, në Prishtinë me këngë të zgjedhura shkodrane dhe kosovare. Kurse albumi i tretë me këngë popullore shkodrane doli përsëri në qarkullim në Prishtinë.

Gjatë karrierës së saj artistike ka bashkëpunuar me shumë figura të shquara të muzikës shqiptare, me kompozitorët: Pjetër Gaci, Mark Kaftalli, Luan Barova, Zef Çoba, Adil Ujkashi, Shëfqet Kruja, Shpëtim Saraçi, Naim Krasniqi, Ilir Zoga, Xhavit Ujkani, Jetmir Barbullushi etj. Ka qenë pjesmarrëse në shumë grupe e formacione muzikore, si me Orkestrën e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Shtetrore të Tiranës, Ansamblin “Rozafa”, Grupi Muzikor “Albulena” e Ulqinit, “Kastriotët” e Ferizajt, “X3” të Prishtinës dhe “Curret” e Shkupit. Ajo ka regjistruar mbi 50 këngë në Radio Shkodra, Radio TVSH, Radio TVM, (Shkup), Radio Viktoria të New Yorkut, Radio Ulqini, Radio Prishtina dhe në shumë kanale televizive private në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri.

Këshilli Bashkiak i Shkodrës i ka dhënë titullin “Mirënjohja e Qytetit”, me motivacionin: “Këngëtare e shquar e muzikës popullore shkodrane që me zërin e saj melodioz ruajti vlerat e këngës qytetare, si dhe shumë vlera të tjera të mëdha”.

Mukades Çanga në karrierën e saj artistike ka fituar një popullaritet të gjërë si këngëtare e mirënjohur e këngës tradicionale qytetare shkodrane. Ndërmjet emrave të shquar që e lidhën talentin dhe përkushtimin e tyre me këtë trashëgimi, Mukades Çanga shquhet për individualitet artistik, që e bën të dallueshme prej të tjerëve.

Ja si shprehet në vlerësimet e tij shkrimtari dhe dramaturgu i njohur prof. Fadil Kraja: “Nëqoftëse do të flasim për ditët e sotme mund të themi pa hezitim se Mukades Çanga është një pikë referimi për këngën popullore qytetare shkodrane, që fillon nga ajo dhe vazhdon me këngëtarë të tjerë që për fat të mirë i kemi me shumicë”.

Artistët gjithmonë i këndojnë njëri tjetrit dhe ishte zëri brilant i Desit që vargjet e një teksti kushtuar Legjendës së këngës popullore kosovare, Ismet Peja, të krijuara nga autori i këtij shkrimi dhe me muzikë të mjeshtrit Ilir Zoga i dhanë vlera një bashkëpunimi kombëtar, i cili u pasua dhe me bashkpunime të tjera që hapen rrugën e një bashkëpunimi të suksesshëm, të artistëve tanë në Kosovë dhe në Shqipërinë mëmë. Këtë këngë, Mukades Çanga e interpretoi mes ovacioneve dhe dashamirësve vëllazëror në 80-vjetorin e lindjes së këtij gjigandi të madh të këngës shqiptare, që ka vetëm një emër, Ismet Peja.

Sukseset në karrieren artistike të kësaj këngëtareje të madhe nuk erdhën për një ditë, për një javë, për një muaj, por për shumë vite, ku ajo pjesën më të madhe të suksesit ia dedikon familjes, e cila ndoshta edhe ka sakrifikuar, por e ka inkurajuar atë që të bëhet dhe që të jetë një artiste e madhe.
“Zonja e këngës popullore qytetare shkodrane”. Ky është titulli që i japin bashkëqytetarët e vet dhe ndoshta ka më shumë vlerë se titulli “Mirënjohje e Qytetit”. Desin nuk e bëjnë të madhe titujt, por lidhja me këngën dhe me qytetin e saj ku ajo e ndien veten gjithmonë një vajzë shkodrane, por tanimë një “Mjeshtre e Madhe” ku ajo e ndien veten një vajzë dhe këngëtare shqiptare, të cilën kënga e mban gjithmonë të re. I urojmë edhe 100 vite të lumtura në jetë dhe në skenë! /Nga Ramazan ÇEKA/

© ShkodraWeb Media - Të gjitha materialet në këtë faqe mund të përdoren nga media të tjera, duke përmendur emrin e burimit të informacionit nga janë marrë.

ShkodraWeb Channel