
Është zhvilluar në Tiranë mbledhja e radhës e Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor – KALKSH, ku mori pjesë edhe rektori i Universitetit të Shkodrës, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, në cilësinë e anëtarit të këtij Këshilli.
Gjatë mbledhjes u prezantua draft Plani i Veprimit i Dokumentit të Politikave të Arsimit të Lartë 2030, u raportua për ecurinë e akteve nënligjore të Ligjit Nr. 109/2024 “Për shkencën dhe kërkimin shkencor në RSH”, si dhe për programin e ri të mbështetjes financiare për studimet e Doktoratës nga AKKSHI.
U zhvilluan gjithashtu diskutime mbi nxitjen e institucioneve të arsimit të lartë për përfshirjen në rankimet ndërkombëtare.
Në fjalën e tij, rektori i UNISHK Tonin Gjuraj theksoi nevojën për:
-rishikimin sa më parë të Ligjit 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor”, mundësisht brenda vitit 2026;
-nisjen e procesit të profilizimit rajonal të IAL-ve;
-mbështetje më të madhe për studimet e doktoratës dhe lehtësira për bashkëudhëheqje;
-thjeshtëzim procedurash për ndërkombëtarizimin.