Komisioni i Posaçëm i Apelimit ka nisur sot shqyrtimin e një ankimi të bërë nga Komisioneri Publik i cili nuk ka pranuar një vendim të Komisionit të Posaçëm të Kualifikimit për të ndërprerë procesin e vettingut për Adriatik Llallën. Në seancën që zhvillohet sot dhe që drejtohet nga Sokol Çomo, Adriatik Llalla nuk është i pranishëm por përfaqësohet nga avokati i tij Sokol Hazizaj.
Procesi ndaj Adriatik Llallës u ndërpre nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pas dorëheqjes së ish-kryeprokurorit nga e drejta për t’u emëruar gjyqtar apeli dhe rrjedhimisht nga i gjithë sistemi i drejtësisë.
Verdikti u mor në atë kohë nga trupi gjykues i KPK me kryesues Roland Ilia dhe anëtarët Pamela Qirko dhe Olsi Komçi.
Sokol Çomo: Kur keni komunikuar për herë të fundit me të përfaqësuarin tuaj?
Avokati i Llallës: Para dy javësh.
Sokol Çomo: Keni komunikuar direkt?
Avokati i Llallës: Jo, përmes familjarëve, përmes bashkëshortes.
Sokol Çomo: Po direkt kur ka qenë komunikimi i fundit?
Avokati i Llallës: Më shumë se dy javë më parë.
Luan Daci: Keni tagër të mbroni këtë subjekt?
Avokati i Llallës: I kam të gjithë tagrat.
Trupa gjykuese tërhiqet për të marrë një vendim për prokurën e përfaqësimit të avokatit