
Të premten, është zhvilluar mbledhja e kryesisë së PD- së Shkodër, për përgatitjet finale për zgjedhjen e kryetarit të ri të degës demokrate. Përveç çeshtjeve organizative, si caktimi i komisionerëve të qendrave të votimit që do të ngrihen në hollin e Teatrit “Migjeni” të dielën e 15 marsit, përfaqësuesve të dy kandidatëve pranë tyre, është diskutuar për listat e zgjedhësve, të cilët në total, janë rreth 7200 në territorin e Bashkisë Shkodër.
Ka patur një propozim, për pastrimin e listave të votuesve nga rreth 300 anëtarë të PD Shkodër me të drejtë vote. Kërkesa ësht bërë me motivimin e jo aktizimit sa dhe si duhet, daljen kundër vendimeve apo edhe rreshtimit në periudha të caktuara, me grupime që ishin kundër lidershipit aktual të PDSH.
Ka patur mjaft diskutime, pro dhe kundër pastrimit të listave dhe në fund, është përdorur mekanizmi i votës. Votimi i bërë në mbrëmjen e të premtes në selinë blu të Shkodrës, ka miratuar dhënien e të drejtës së votës të të gjithë anëtarëve, pra rreth 7200, përmes parimit “një anëtar, një votë”. Tashmë, dy kandidatët zyrtarë, Gentian Ibro dhe Ardit Çylybyli, kanë në dorë listat e votuesve nga anëtarësia e PD Shkodër.
Siç është bërë e ditur tashmë, të dielën 15 mars 2026, nga ora 08.00-18.00 në hollin hyrës të teatrit “Migjeni”, demokratët janë të ftuar të shprehin preferencën e tyre për liderin lokal. Ndërkohë, sipas burimeve të ShkodraWeb, edhe në këto orë të fundit para hapjes së votimit, kandidatët dhe mbështetësit e tyre, vazhdojnë takimet me demokratët për ti bindur ti mbështesin me votë. E sigurtë është se këtë herë, ka një garë të vërtetë, të fortë për lidershipin lokal të PD Shkodër.
Nga drejtuesit aktual të strukturave të PD Shkodër, tek të zgjedhurit në forumet politike qendrore të PDSH- së, deputetët, ish- deputetët dhe të zgjedhurit dhe ish- të zgjedhurit në qeverisjen vendore, ka një pozicionim thuajse të hapur në krah të njërit apo tjetrit kandidat. Gara e të dielës, parashikohet e fortë! /ShkodraWeb/




