Zgjedhjet e 25 qershorit i kanë kushtuar buxhetit të shtetit 6 milionë dollarë. Kjo është shuma që ka shpenzuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nga dita e dekretimit të datës së zgjedhjeve nga ish-presidenti Nishani deri në certifikimin përfundimtar të rezultatit të zgjedhjeve. “Zgjedhjet e 25 qershorit kanë kushtuar rreth 6 milionë dollar. Kjo është shuma e domosdoshme për të përgatitur dhe administruar një proces zgjedhor. Është një shumë që korrespondon pak a shumë edhe me organizimin e proceseve të mëparshme zgjedhore, ndaj themi që në një farë mënyrë buxheti i shtetit është i përgatitur për këtë shumë”, tha Klement Zguri, kryetar i KQZ. Pjesa më e madhe e buxhetit, sipas shpenzimeve të bëra nga KQZ, ka shkuar për mallrat dhe shërbime, pra përgatitja teknike e zgjedhjeve, në shumën 448 milionë lekë./BALKANWEB.COM/