Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka theksuar edhe njëherë prerë se nuk do të lejojnë zhvillimin e zgjedhjeve më 30 qershor. I pranishëm në Berat, në një takim me Aktivin e Zgjeruar të Qarkut, Basha tha se 30 qershori është një tentativë për grusht shteti, ndërsa shtoi se “zgjedhje nuk do të ketë, grushti i shtetit do të ndalet me çdo kusht me çdo çmim”.
“Në këtë betejë jemi bashkuar si kurrë më parë. Balli i betejës i takon demokratëve, por kurrë nuk kam parë kaq shumë qytetarë të përshëndesin si simboli global i fitores së shpresës mbi frikën. Kurrë nuk ka qenë më i madh një bashkim popullor se ky. Kurrë nuk ka qenë më në panik pakica që kemi përballë, pakica e Edi Ramës, e një grushti i banditësh dhe horrash, të cilët për 6 vite ishin padronët në shtëpinë e shqiptarëve.
U ulën në sofër krimin, shkatërruan qindra mijëra ekonomi familjare, i zhytën në mjerim. Një pakicë e vogël e kapur duke vjedhur zgjedhjet, e cila kërkon më kot të organizojë grushtin e shtetit më 30 qershor, zgjedhje nuk do të ketë, grushti i shtetit do të ndalet me çdo kusht me çdo çmim, do të mbrojmë demokracinë dhe lirinë. Çeta e tyre e shpartalluar ka humbur arsyen e qetësinë dhe e ka kapur paniku. 30 qershori është një tentativë për një grusht shteti kushtetues”, tha Basha