
Një situatë e paqartë, në rastin më të mirë konfuze, po konstatohet në fazën përmbyllëse të procesit të zgjedhjes së administratorit të Universitetit “Luigj Gurakuqi”. Pasi Senati Akademik i UNISHK, miratoi 4 nga 5 kandidaturat e paraqitura për këtë garë, “topi” kaloi për fazën e fundit, atë të zgjedhjes së administratorit, në fushën e Bordit të Administrimit të UNISHK.
Bordi i Administrimit
1.Adrian Leka, kryetar
2.Genc Spahija, anëtar
3.Ema Kristo, anëtare
4.Ermira Repaj, anëtare
5.Kritian Preçetaj, anëtar
6.Entela Hoxhaj, anëtare
7.Brikene Dionizi, anëtare
Siç tashmë është bërë e ditur, menjëherë pas vendimit të Senatit Akademik, Bordi i Administrimit u mblodh dhe nisi procedurën, duke intervistuar 4 kandidatët. Ndërkohë, mbledhja u ndërpre për arësye jo shumë të qarta teksa nuk ka një komunikim zyrtar nga Bordi apo UNISHK për këtë veprim.
Ndërsa mbledhja u ndërpre me 3 mars, sot me 9 mars, me nisjen e javës së re, ka patur komunikime elektronike lidhur me mundësinë e vijimit të mbledhjes për zgjedhjen e administratorit. ShkodraWeb ka siguruar komunikimin elektronik, lidhur me këtë mbledhje të mundshme.

Fillimisht, njoftimi ishte për mbledhje me datë 17 mars 2026, ora 12:00, ku pritej të mungonte një nga 7 anëtarët e Bordit të Administrimit, që do të ishte jashtë Shqipërisë. Në vijim, mesa duket ka patur opinione të ndryshme, të cilat reflektohen në mail-in më poshtë.

Më në fund, pas “diskutimeve elektronike”, është vendosur që mbledhja te mbahet me datë 30 mars 2026, ora 13:00. Gjithmonë, duke shpresuar të mos ketë përsëri shtyrje apo zhvendosje të mbledhjes.

Pyetjet që logjikisht ngrihen në këtë rast është: Pse nuk po përmbyllet procesi i emërimit të administratorit të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, duke u shtyrë një mbledhje, që në dukje është e thjeshtë të fillojë e të përfundojë? A duhet të ketë transparencë më të madhe në një proces, ku garohet për autoritetin më të rëndësishëm të IAL në aspektin e administrimit financiar dhe burimeve njerëzore? A duhet të jenë të hapura për mediat, në shembullin e Senatit Akademik, edhe mbledhjet e Bordit të Administrimit?
7 anëtarët e Bordit të Administrimit, duhet të jenë sovranë në vendimmarrjen e tyre, duke patur parasysh interesin më të lartë, atë të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, duke nisur nga imazhi i tij dhe për të përfunduar tek përmbajtja. Nuk duam të besojmë se pritet një “orientim” për votën apo plotësim i kuorumit të nevojshëm për ndonjë nga kandidatët në listë. /ShkodraWeb/




