
Me 2 prill 2026, është njoftuar mbledhja e radhës e Bordit të Administrimit të Universitetit “Luigj Gurakuqi” për zgjedhjen e administratorit të ri, në mes 4 kandidaturave: Mark Molla, Kozeta Jana, Julian Përgega dhe Armando Vata. Në fakt, mund të konsiderohet si vazhdim i mbledhjes së nisur e të ndërprerë me 3 mars 2026, ndërsa nga kjo datë, për mungesë kuorumi, nuk ka qenë e mundur të mblidhet Bordi i Administrimit (BA).
Ndërkohë, ShkodraWeb ka mundur të sigurojë një informacion të orëve të fundit, i cili me gjasë mund të ketë ndikim në këtë proces. Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, ka thirrur në një takim 4 anëtarë të BA, të emëruar nga dikasteri qendror si përfaqësues të Ministrisë së Arsimit në Bordin e Administrimit.
BORDI I ADMINISTRIMIT
1.Adrian Leka, kryetar, i emëruar nga Senati Akademik
2.Genc Spahija, anëtar i emëruar nga Ministria e Arsimit
3.Ema Kristo, anëtare e emëruar nga Ministria e Arsimit
4.Ermira Repaj, anëtare e emëruar nga Ministria e Arsimit
5.Kritian Preçetaj, anëtar i emëruar nga Ministria e Arsimit
6.Entela Hoxhaj, anëtare e emëruar nga Senati Akademik
7.Brikene Dionizi, anëtare e emëruar nga Senati Akademik
Nga burime të Ministrisë së Arsimit, ShkodraWeb ka mësuar se 4 anëtarët e BA- së, duhet të jenë në Ministrinë e Arsimit ditën e sotme, e martë 31 mars 2026, në orën 16:00, kur edhe mbaron orari zyrtar i punës. Ndërsa nuk ka informacione të detajuara, 4 anëtarët e BA- së janë thirrur pikërisht për çeshtjen e zgjedhjes së administratorit të ri të UNISHK.
Për arësye akoma jopublike, duket se procesi i zgjedhjes së administratorit të ri, po shkon në “kalendat greke”. Pasi u miratuan nga Senati Akademik, “topi” kaloi në Bordin e Administrimit, i cili është pak të thuhet, se ka një qasje të çuditëshme ndaj kësaj teme mjaft të rëndësishme për ecurinë e UNISHK në aspektin administrativo- financiar.
Nga data 3 mars 2026, BA nuk ka mundur të mblidhet për mungesë kuorumi, për të përfunduar procesin. Takimi i sotëm në Ministrinë e Arsimit mes ministres Kumbaro dhe 4 anëtarëve që përfaqësojnë dikasterin qendror dhe përbëjnë shumicën në këtë bord me 7 anëtarë, pritet të verifikohet nëse do të ketë ndikim për mbledhjen e datës 2 prill. /Exclusive- ShkodraWeb/




