
Një situatë hermetike e pakuptimtë ka rënë mbi procesin final të përzgjedhjes së administratorit të ri të Universitetit “Luigj Gurakuqi”. Mbledhja e Bordit të Administrimit, e nisur dhe e ndërprerë pa një shpjegim publik, nuk dihet kur mund të vijojë edhe pse data më e mundshme është 17 mars 2026.
Nisur nga interesi publik për një proces shumë të rëndësishëm në këtë IAL, ShkodraWeb i ka dërguar Bordit të Administrimit, i cili duhet të zgjedhë administratorin e ri, kërkesë për informacion pikërisht për datën se kur do të rinisë mbledhje e ndërprerë me 3 mars dhe nëse ajo do të jetë e hapur për mediat.
Kërkesa e dërguar në rrugë elektronike, me mail dhe me Whatsapp, deri tani nuk ka marrë përgjigje zyrtare. Ndërkohë, lidhur me këtë çeshtje, është pyetur edhe rektori i UNISHK, Tonin Gjuraj. Ai ka thënë për ShkodraWeb se zjedhja e administratorit është kompetencë e Bordit të Administrimit. Ai shton se pas komunikimeve me kryetarin e Bordit të Administrimit, Adrian Leka, ka mësuar se mbledhja do të zhvillohet me 17 mars 2026. Po ashtu, ai shton se ka kërkuar të jetë i pranishëm në këtë mbledhje, teksa thotë se mbledhja e hapur për mediat, veçse i shton vlera procesit, duke e bërë krejtësisht transparent edhe për opinionin publik.
Mbetet të shihet nëse Bordi i Administrimit do të rinisë mbledhjen e nderprerë me 3 mars 2026 dhe nëse do ta mbyllë procedurën e zgjedhjes së administratorit të ri të UNISHK me 17 mars 2026. /ShkodraWeb/




